
Prezantohet “Pasqyrë Albania”, Rama: Çdo ankesë do të gjurmohet, institucionet do të japin përgjigje brenda afatit
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re “Pasqyrë Albania”, një instrument digjital që synon të rrisë transparencën mbi investimet publike dhe t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale aplikimet, shërbimet dhe ankesat e tyre pranë institucioneve.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re “Pasqyrë Albania”, një instrument digjital që synon të rrisë transparencën mbi investimet publike dhe t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale aplikimet, shërbimet dhe ankesat e tyre pranë institucioneve.
Gjatë prezantimit, eksperti Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Saimir Kapllani, shpjegoi se platforma është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore, të cilat synojnë të lehtësojnë aksesin e qytetarëve në informacion dhe të forcojnë llogaridhënien e institucioneve.
“”Pasqyrë Albania”-n e kemi ndërtuar në katër shtylla kryesore, në të cilat qytetarët të munden të marrin informacion për të gjitha investimet publike, pra qëllimi është transparencë mbi investimet, por siç e përmendët ju, kryeministër, qëllimi është që qytetari të ketë mundësi të ndjekë në çdo hap aplikimet që ka bërë dhe ankesën. Shtylla e parë i referohet “Shih”, që qytetari të ketë mundësi në mënyrë transparente të shikojë se ku po investohet, çfarë po investohet në bashkinë e tij dhe gjithashtu të njihet me nismat dhe reformat prioritare që shteti ka në zbatim”, tha ai.
Kryeministri Rama theksoi se ky instrument do t’u mundësojë qytetarëve të verifikojnë vetë ecurinë e projekteve në zonat ku jetojnë, përfshirë edhe ato që mund të jenë pezulluar apo vonuar.
“Ideja për këtë lidhet me atë zotim tjetër në kuadrin e “Pasqyrë Albania”-s që t’u vëmë në dispozicion të gjithë qytetarëve një instrument, ku ata të mund t’i shohin vetë investimet, ecurinë e projektit në çdo zonë të interesit të tyre. Një qytetar nga Vlora do të shohë se çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet, për projekte që për një arsye apo një tjetër mund të jetë të pezulluara, mund të jenë të vonuara e kështu me radhë, në mënyrë që çdo lloj “gjysëm e vërtete”, që është dhe gënjeshtra më e madhe pa llogaritur këtu të pavërtetat totale që shpërndahen përditë nëpër portale, nëpër kanale të mund t’i ballafaqojë vet qytetari me mundësinë për të ndezur “Pasqyrë Albania” dhe për të parë se çfarë bëhet me investimet”, tha Rama.
Shtylla e dytë, shpjegoi Kapllani, i referohet dhe lidhet me transparencën e vendimmarrjes në nivel vendor. Përmes saj, qytetarët do të kenë akses në vendimet e miratuara dhe projektvendimet e këshillave bashkiakë
“Shtylla e dytë i referohet nocionit “Kupto”, që qytetarët të kuptojnë se çfarë vendimesh po merr bashkia e secilit prej qytetarëve. Pra, këtu kemi mundësinë që qytetarët të njihen me vendimet e bashkisë dhe projektvendimet e Këshillave bashkiakë. Në kohë reale ata mund të kërkojnë se çfarë vendimesh janë miratuar muajt e fundit. Ne kemi aploduar (upload) që në muajin shtator dhe në vijim të gjitha vendimet e këshillit bashkiak dhe qytetarët kanë mundësi të njihen. Gjithashtu, kemi zhvilluar dhe Asistentin Virtual, që qytetarëve t’u japi mundësi t’i asistojë në lidhje me vendimet që janë miratuar, për t’i bërë një përmbledhje se çfarë ka të miratuar së fundmi në bashkinë e secilit prej tyre”, tha ai.
Një tjetër funksion i rëndësishëm është hapësira personale e qytetarit, ku përmes identifikimit me llogarinë e tij në “e-Albania” do të mund të ndiqen aplikimet, shërbimet dhe ankesat.
“Shtylla e tretë është ajo me e rëndësishmja, ku qytetari ka hapësirën e tij. Duke u loguar me “e-Albania”, ai do ketë mundësi që të ndjeki dhe të trakojë (tracking) aplikimet, shërbimet dhe ankesat. Pra, ka dy seksione kryesore, “Aplikimet e qytetarit” ku shohim çdo aplikim që qytetari ka bërë në “e-Albania”, në “Pasqyrë” reflektohet dhe ndiqet statusi real”, tha ai.
Gjatë prezantimit, Rama u ndal veçanërisht te mekanizmi i ndjekjes së ankesave dhe kërkesave, duke e krahasuar atë me gjurmimin e një pakoje postare përmes shërbimit DHL.
Sipas kreut të qeverisë, ky mekanizëm do t’u japë mundësi qytetarëve të shohin se ku ndodhet dhe në çfarë faze është kërkesa e tyre, ndërsa administrata dhe institucionet përgjegjëse do të mund të identifikojnë në kohë reale vonesat dhe pengesat në trajtimin e tyre.
“Pra, këtu jemi në atë “thembrën e Akilit” që thashë për të cilën ua kam bërë me dije zotimin se do ta kthejmë çdo hall, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem në një “pako” DHL-je. Pra, siç nisim me DHL një pako apo një letër dhe e ndjekim gjatë gjithë kohës se ku ndodhet do të bëjmë edhe me ankesën, kërkesën, problemin, shqetësimin. Kjo, nga njëra anë, do t’i japë mundësi çdo qytetari të shohë statusin e “pakos” së vet dhe nga ana tjetër do t’i japë mundësinë administratës, do t’i japë mundësinë institucioneve përkatëse, do japë mundësinë edhe shkallës së hierarkisë që të mund të ndjekin në kohë reale se ku ku ngec një “pako”, ku ngec një kërkesë apo ku ngec një ankesë? Sepse ne mund të kemi diskutime për “u zgjidh apo s’u zgjidh” gjëja, ashtu siç njëra palë apo pala tjetër shteti dhe qytetari e konceptojnë, por nuk mund të kemi më diskutime “a u mor a s’u mor përgjigjja”. Dhënia e përgjigjes në kohë është një detyrim që duhet ta mbajmë si parësori në këtë marrëdhënie”, tha Rama.
Kapllani tha se “risia që ka kemi zhvilluar në pasqyrë është që në çdo shërbim ka një afat të caktuar sipas ligjit. Brenda këtij afati institucioni është i detyruar të kthejë përgjigje. Në momentin që afati kalon, pasqyra e trakon (track) dhe qytetari njoftohet me SMS për shërbimin, të cilin i ka kaluar afati, dhe duke i ofruar dhe linkun mbi të cilin ai direkt bën ankesën dhe ankesa e tij regjistrohet”.
Burimi ATSH

















