
Ambasadorja Kato: 80 projekte japoneze në Shqipëri për mjedisin, arsimin dhe shëndetësinë
Japonia po mbështet Shqipërinë jo vetëm përmes financimit, por edhe me ekspertizë, teknologji dhe transferim njohurish në fusha të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm.

Japonia po mbështet Shqipërinë jo vetëm përmes financimit, por edhe me ekspertizë, teknologji dhe transferim njohurish në fusha të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kikuko Kato, tha për mediet, se bashkëpunimi përqendrohet në dy shtylla kryesore: mjedisin dhe rritjen e barabartë.
“Politika e asistences së Japonisë ndaj Shqipërisë përqendrohet te zhvillimi ekonomik i balancuar dhe i qëndrueshëm. Dy janë shtyllat kryesore të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA) të Japonisë për Shqipërinë; “Mjedisi” dhe “Rritja e barabartë”, tha Kato.
Sipas saj, mbështetja japoneze përfshin menaxhimin dhe mbrojtjen e mjedisit, ujërave dhe mbetjeve, si dhe reduktimin dhe parandalimin e rrezikut nga katastrofat. Një fokus i veçantë është edhe reduktimi i diferencave në aksesin ndaj shërbimeve ekonomike dhe sociale mes zonave urbane dhe rurale. Kjo pasqyron një qasje ndaj zhvillimit që synon të sigurojë që përfitimet e progresit ekonomik dhe social të arrijnë te komunitetet në mbarë vendin.
E pyetur nga ATSH-ja për ekspertizën që Japonia synon të sjellë në Shqipëri, dhe në cilat fusha praktikat japoneze mund të përshtaten më mirë me nevojat dhe sfidat e vendit tonë, Kato theksoi rëndësinë e bashkëpunimit teknik.
“Japonia ofron Ndihmë Zyrtare për Zhvillim (ODA) për Shqipërinë përmes formave të ndryshme si: Bashkëpunimi teknik; Mbështetja financiare, përfshirë kredi për zhvillim dhe grante. Bashkëpunimi teknik është veçanërisht i rëndësishëm, sepse ndërthur mbështetjen financiare me transferimin e njohurive, aftësive dhe ekspertizës praktike”, tha ajo.
Ambasadorja bëri të ditur se, bashkëpunimi teknik që ndërthur mbështetjen financiare me transferimin e njohurive, aftësive dhe ekspertizës praktike, realizohet përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), ndërsa Japonia ofron kredi zhvillimore dhe grante.
“Përmes programit “Projektet e Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal (GGP)”, forma e ndihmës me grante përqendrohet te nevojat konkrete në nivel lokal ose komunitar. Ky program deri në vitin 2025 ka zbatuar 80 projekte në të gjithë Shqipërinë, që adresojnë nevojat bazë njerëzore dhe projekte që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te komunitetet, ku përfitues janë: autoritetet vendore, spitalet publike, shkollat publike dhe OJQ-të”, theksoi Kato.
Kato nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një histori të gjatë, që nis në vitin 1922, ndërsa bashkëpunimi për zhvillim ka vijuar edhe përpara hapjes së Ambasadës së Japonisë në Shqipëri në vitin 2017.
“Japonia bashkëpunon me Shqipërinë edhe në nivel rajonal përmes Iniciativës së Bashkëpunimit për Ballkanin Perëndimor, të nisur nga kryeministri Abe në vitin 2018. Kjo iniciativë synon të mbështesë reformat socio-ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, si dhe pajtimin dhe bashkëpunimin brenda rajonit. Në kuadër të kësaj nisme, Japonia ndërmerr projekte bashkëpunimi që trajtojnë sfida të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar në reduktimin e rrezikut dhe menaxhimin e zjarreve pyjore, apo të mungesës së ujit”, deklaroi Kato.
Marrë nga ATSH


















