
Shtohen me 67% plazhet publike, Gonxhja: 1689 parcela në dispozicion të pushuesve
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka bërë të ditur sot se në vitin 2026 janë në dispozicion 1689 parcela publike, nga 1014 që ishin një vit më parë.

Numri i parcelave dhe stacioneve të plazhit me funksion dhe administrim publik është rritur ndjeshëm këtë sezon veror. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka bërë të ditur sot se në vitin 2026 janë në dispozicion 1689 parcela publike, nga 1014 që ishin një vit më parë.
Sipas të dhënave të publikuara nga MTKS, bëhet fjalë për një rritje prej 67%, ose 675 parcela publike më shumë krahasuar me vitin 2025.
Edhe sipërfaqja totale e plazheve publike është zgjeruar. Ajo ka arritur në 3,18 milionë metra katrorë, nga 2,88 milionë metra katrorë në vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej rreth 303 mijë metra katrorësh, ose 10,5%.
Një risi për këtë sezon është edhe administrimi i plazheve nga bashkitë. Në vitin 2026 janë 124 parcela publike nën administrimin e njësive vendore, një kategori që nuk ishte e zyrtarizuar në këtë formë gjatë vitit 2025. Këto hapësira ofrojnë shërbim me çadra dhe shezlongë me tarifa të miratuara dhe më të përballueshme për pushuesit, duke zënë një sipërfaqe totale prej rreth 475 mijë metrash katrorë.
Nga 124 parcelat e administruara nga bashkitë, numrin më të lartë e ka Lezha me 49, e ndjekur nga Durrësi me 38, Shkodra me 16, Himara me 11 dhe Vlora me 10. Për sa i përket sipërfaqes, kryeson Durrësi me rreth 316 mijë metra katrorë, pasuar nga Lezha me 75 mijë, Himara me 51 mijë, Vlora me 21 mijë dhe Shkodra me 13 mijë metra katrorë.
Një tjetër element që ka ndikuar në zgjerimin e hapësirave publike është rikthimi në administrim publik i 665 parcelave të menaxhuara më herët nga privatët. Sipas ministrit, për këto parcela nuk u aplikua ose aplikimet për to u refuzuan, duke i shtuar plazhit publik rreth 768 mijë metra katrorë sipërfaqe.
Ndërkohë, është zgjeruar edhe rrjeti i plazheve përjashtimore. Në vitin 2026 janë formalizuar 22 plazhe përjashtimore, nga vetëm 2 të tilla në vitin 2025. Kjo përfaqëson një rritje me 20 stacione, ose rreth 11-fish, duke përfshirë gjithsej 570 parcela dhe rreth 1,42 milionë metra katrorë sipërfaqe plazhi të menaxhuar dhe të formalizuar.
Ministri Gonxhja e ka cilësuar këtë zhvillim si një alternativë për të luftuar abuzimin me çmimet dhe për të garantuar akses më të gjerë të qytetarëve në plazhe. Sipas tij, menaxhimi bashkiak, tarifat e miratuara nga këshillat bashkiakë, formalizimi i plazheve dhe fiskalizimi i pagesave kanë ndihmuar në krijimin e mundësive më të përballueshme për pushuesit. Ministri thekson edhe rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit dhe forcimit të masave të sigurisë në det dhe në shërbimet e vrojtimit, me synim uljen e kostove për qytetarët dhe përmirësimin e administrimit të sezonit turistik.
Megjithatë, sipas ministrit Gonxhja, mbeten ende sfida për t’u adresuar, veçanërisht sa i përket kontrollit dhe respektimit të ligjshmërisë në plazhet liqenore dhe lumore, zonat e mbrojtura dhe ishujt, si dhe vendosjes së standardeve të qëndrueshme për higjienën, sigurinë dhe aksesin e përballueshëm për pushuesit.
Burimi ATSH



















