
Strategjia për sigurinë rrugore, infrastrukturë e duhur për uljen e aksidenteve
Dokumenti i përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe institucionet e linjës, vendos si objektiv që deri në vitin 2030 numri i viktimave nga aksidentet rrugore të ulet në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian.

Strategjia e re Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026-2030 parashikon më shumë siguri në rrugë dhe më shumë jetë të shpëtuara, përmes një pakete masash që synojnë uljen e numrit të viktimave nga aksidentet rrugore deri në fund të dekadës.
Dokumenti i përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe institucionet e linjës, vendos si objektiv që deri në vitin 2030 numri i viktimave nga aksidentet rrugore të ulet në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian.
Strategjia parashikon ndërtimin e një infrastrukture më të sigurt, mbrojtje më të madhe për këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët, forcimin e kontrolleve dhe respektimit të rregullave të qarkullimit, si dhe rritjen e përdorimit të rripave të sigurimit, helmetave dhe sistemeve të sigurisë për fëmijët.
Po ashtu, dokumenti synon përmirësimin e mbledhjes dhe analizës së të dhënave për aksidentet rrugore, në funksion të hartimit të politikave më efektive dhe ndërhyrjeve të bazuara në evidencë.
Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026-2030 shoqërohet me masa që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, përmirësimin e sigurisë së infrastrukturës dhe forcimin e zbatimit të legjislacionit rrugor.
“Çdo jetë e shpëtuar është një hap më pranë një Shqipërie me rrugë më të sigurta për të gjithë”, theksohet në këtë dokument.
Me zbatimin e kësaj strategjie, qeveria synon të krijojë rrugë më të sigurta për të gjithë përdoruesit, duke afruar Shqipërinë me standardet më të mira evropiane në fushën e sigurisë rrugore.
Marrë nga ATSH



















