Rama: Dokumenti “Prania besnike”, fazë e re në funksionimin e PS-së

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së sotme me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare prezantoi dokumentin “Prania Besnike”


Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së sotme me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare prezantoi dokumentin “Prania Besnike”, duke theksuar se ky dokument synon të përcaktojë frymën e një faze të re në funksionimin e Partisë Socialiste, duke vendosur në qendër respektin, dëgjimin, empatinë, solidaritetin, korrektesën dhe përkushtimin ndaj qytetarëve.

Në fjalën e tij Rama tha se “pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që e keni përpara si draft, tërësisht të hapur për shënimet e secilit prej jush. Po me shumë pak fjalë, shumë më pak fjalë sesa dokumenti, dua t’ju jap vetëm frymën e tij, në mënyrë që të gjitha shënimet që mund të shtohen apo çfarë mund të hiqet, të mbajnë parasysh pikërisht frymën: respektin si gatishmëri për të dëgjuar; jo dëgjimin si pritje e radhës për të folur, por dëgjimin si puna e parë e partisë; dëgjimin si disiplinë e re e partisë; dëgjimin në çdo stinë: edhe kur nuk ka kamera, edhe kur nuk ka fushatë, edhe kur ka duartrokitje, edhe kur nuk ka rreth e rrotull simpatizantë”.

“Empatia nuk është dobësi sociale, është forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë më të çmuar sesa vota; të ka dhënë besimin dhe, duke të dhënë diçka që është e tija, personale, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin. Dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik”, theksoi Rama.

Duke u ndalur tek solidariteti, Rama tha se “Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa e pyetur: me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahjeje politike të pëlqen; pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikë. Se halli nuk ka teserë dhe dera që hapet vetëm për “tanët, tanët, tanët”, është derë që hapet që një ditë të mbyllet për të gjithë ne. Kur them për të gjithë ne, them për Partinë Socialiste të Shqipërisë”.

Sa i përket korrektesës, Rama u shpreh se “mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në Partinë Socialiste. Po ju rikujtoj shembullin, jam i bindur që ju keni plot të tjerë, e atij fermerit nga Lushnja: tre vjet për një përgjigje. Tre vjet. Dhe njerëzit nuk kërkojnë nga ne që të themi medoemos “po”, se e dinë që ne nuk jemi zotërues të një çelësi magjik, por njerëzit kërkojnë: po, jo, kur? Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet, por bëhet poshtërues kur nuk përfillet”.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek përkushtimi ndaj transformimit të “makinerisë” me forcën e shembullit individual.

“Kjo kthesë nis nga ne që jemi në këtë sallë ose nuk nis fare. Nis nga grupi parlamentar ose nuk shkon më tutje. Nis patjetër nga qeveria ose nuk merr besueshmërinë për të vazhduar si një kthesë e gjithë Partisë Socialiste. Kritika jonë e brendshme mikpritet dhe kultivohet si ushqimi i vetëdijes së skuadrës, së familjes politike, por ajo ka vetëm një rrugë të ndershme: brenda nesh flitet hapur, flitet me zë të lartë, flitet drejt e në sy, ndërsa përballë qytetarit, kur rasti e kërkon, ajo bëhet vetëm si vetëkritikë, në emër dhe në interes të skuadrës, jo si konstatim publik i një spektatori që shfrytëzon problemin për interesin e vet dhe ia lë skuadrës “kodoshin” në derë. Kjo nuk është prani besnike. Kjo është prani hileqare”, nënvizoi Rama.

“Vija e re ndarëse e kësaj faze të re, siç e thashë edhe herën e kaluar, nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë; kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe atyre që “duan shesh për të bërë përsheshet e tyre”. Në anën tonë të asaj vije duhet të ketë shumë më tepër hapësirë për njerëz të rinj, për forca të reja, për prurje energjish dhe vullnetesh të reja dhe është domosdoshmëri që i gjithë drejtimi politik i partisë të fokusohet te shkrirja e kufijve që janë shumë të dukshëm për njerëzit që janë në territor, por që bëhen të padukshëm kur ne shkojmë në territor: kufijtë mes nesh dhe atyre”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “nëse “Besa” është fjala që qëndron në krye të dokumentit tonë strategjik, kjo lidhet me faktin që fjala jonë ndaj qytetarit kërkon të kontrollohet në gjithë procesin e trajtimit të saj dhe këtë gjë e bëjnë mekanizmat e metodës që do të duhet të vërë në zbatim qeveria. “Prania Besnike” është diçka tjetër: është fjala jonë ndaj vetvetes, të cilën ne duhet ta bëjmë të kontrollueshme nga çdo qytetar që i beson pranisë sonë në territor. Ata që kanë humbur armatat e fitoreve, të gjithë bashkë, kanë pasur, natyrisht, karakteristika të ndryshme, por kanë paguar një haraç të përbashkët: kanë fituar me vesh të hapur, kanë qeverisur me vesh të mbyllur”.

“Partia Socialiste duhet të hyjë te përjashtimet. Ky është misioni ynë lidhur me Partinë Socialiste. Mund të duket shumë e ekzagjeruar, por më besoni, është po aq e thjeshtë sa ç’duket e ekzagjeruar”, tha Rama.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por e Shqipërisë për të zënë vendin në BE

Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare Kryeministri Edi Rama prezantoi…

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por e Shqipërisë për të zënë vendin në BE

Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare Kryeministri Edi Rama prezantoi…