
Rama: PS e ka pushtetin nga vota e popullit, nuk braktisim përgjegjësitë nga thirrjet e një pakice në bulevard
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së zhvilluar sot me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, prezantoi një tjetër dokument “Prania Besnike”, aneksi i dokumentit “Besa” të prezantuar më herët.

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së zhvilluar sot me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, prezantoi një tjetër dokument “Prania Besnike”, aneksi i dokumentit “Besa” të prezantuar më herët.
Rama iu referua shembujve nga parti të tjera në botë që kanë ardhur në pushtet dhe kanë qëndruar gjatë, duke kërkuar që Partia Socialiste të mësojë nga risitë dhe të shmangë gabimet.
Rama pohoi se pyetja legjitime që vjen nga disa është se pse pas 13 vjetësh në qeverisje duhet të qëndrohet akoma në pushtet.
“Por këtu duhet të ndajmë dy gjëra që nuk janë e njëjta gjë. Njëra është pse nuk largohemi ne sot dhe tjetra është pse duam ne ta meritojmë vazhdimësinë nesër”, theksoi ai.
“Së pari, duket e çuditshme që duhet thënë, por me sa duket duhet thënë që kjo është demokracia dhe një parti politike as nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit, as nuk e ka pronë me testament, po as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “Partia Socialiste ushtron pushtetin sipas Kushtetutës. Dhe për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend për të bërë ato për të cilat është zotuar përpara popullit”.
“Ata thonë se flasin në emër të popullit, madje pretendojnë se janë vetë populli. Ne jemi populli. Dëgjoni popullin. Ka dalë populli. Por që të jemi të qartë në ligj dhe me zakon as ata nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi populli dhe asnjë individ kushdo qoftë apo grup kushdo qoftë, nuk është popull. Të gjithë jemi vetëm pjesë të tij. Mund të përfaqësojmë popullin ose të flasim në emër të popullit vetëm nëse ai na e jep këtë mandat sipas Kushtetutës. Përndryshe, ne flasim vetëm në emrin tonë apo të kujtdo që na ka mandatuar të përfaqësojmë ndonjë gjë, por jo në emër të popullit”, nënvizoi Rama.
Rama u shpreh se “as unë që e kam me vulë dhe me firmë mandatin për ta përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, nuk e kam tagrin të them në emër të popullit atë që mund ta thotë vetëm populli: kush duhet të jetë në qeveri dhe kush duhet të jetë në opozitë. Këtë populli e thotë vetëm vetë, vetëm me votë dhe vetëm kur zgjedh të mandatuarit e tij”.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “unë për shembull e kam tagrin të vendos për veten time, nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat dhe urdhrat e një pjese që këndon për zyrës time: “Rama jepe dorëheqjen!””.
“Ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon aq shumë, sa t’ju them të drejtën, më gënjen mendja që mund të bëj një tjetër këngë me të. Por në çdo çast dhe rrethanë përtej këngës të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti intelektuale. Është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe. Ndërsa të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona do të ishte dhe shpërfillje e pafalshme e një porosie shumë të madhe kombëtare. Kështu që kushdo le të këndojë, kur të dojë le të pushojë”, tha Rama.
Burimi ATSH

















