
Qeveria miraton paketën e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre
Këshilli i Ministrave miratoi sot paketën e re të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, një masë e cila hyn në fuqi nga data 1 korrik 2026.

Këshilli i Ministrave miratoi sot paketën e re të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, një masë e cila hyn në fuqi nga data 1 korrik 2026.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, vendimet e miratuara parashikojnë dyfishimin e masës së pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Kjo masë hyn në fuqi me efekte financiare duke filluar nga 1 korriku 2026.
“Mbështetja e shtuar financiare do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke mundësuar ndërhyrje të hershme, zhvillimin e aftësive, përfshirjen sociale dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet e tyre. Njëkohësisht, ajo krijon kushte për zhvillim më të qëndrueshëm dhe rrit mundësitë për një jetë më të pavarur në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e MSHMS-së.
MSHMS, cilëson se “një tjetër lehtësim i rëndësishëm është heqja e detyrimit për paraqitjen çdo vit të dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, për rastet kur afati i përfitimit është disa vjeçar”.
Sipas MSHMS-së, kjo masë redukton ndjeshëm procedurat administrative dhe shmang kostot e panevojshme për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.
Paketa parashikon gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 674 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit, duke filluar nga 1 shtatori 2026.
MSHMS thekson se “kjo masë garanton trajtim të barabartë për ndihmësit personalë, duke njohur periudhën e shërbimit të tyre si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Njëkohësisht, ajo forcon mbështetjen për kujdesin në familje, duke u mundësuar personave me aftësi të kufizuara të jetojnë pranë njerëzve të tyre dhe duke reduktuar nevojën për institucionalizim”.
Kjo paketë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e politikave sociale të qeverisë, me fokus mbështetjen e kategorive më në nevojë, garantimin e dinjitetit, barazisë dhe përfshirjes sociale, si dhe ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje sociale më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
Marrë nga ATSH


















