
Rama: Privatizime dhe ndërtime në gjirin e Porto Palermos, fushatë dezinformimi nga agjitatorët e algoritmit
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj një videoje të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën pretendohet se gjiri i Porto Palermos do të privatizohet dhe do të ndërtohet një kompleks vilash ku qytetarët shqiptarë nuk do të kenë akses.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj një videoje të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën pretendohet se gjiri i Porto Palermos do të privatizohet dhe do të ndërtohet një kompleks vilash ku qytetarët shqiptarë nuk do të kenë akses.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama i cilësoi këto pretendime si një fushatë dezinformimi, teksa shtoi se është e gjitha e fabrikuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Sipas Ramës, bëhet fjalë për një material të krijuar enkas për të përhapur informacion të rremë. Rama u ndal edhe tek masterplanet e përfshira në librin “Albania Files”, që sipas tij janë projekte të porositura nga subjekte private për prona private dhe se disa prej tyre nuk janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
“Këtu kemi shëmbëlltyrën e gjallë të një agjitatori të një algoritmi në sulm. Këtu nuk kemi të bëjmë me një interpretim të mbrapshtë, të një masterplani që mund të jetë real. Ka për shembull masterplane reale në librin “Albania Files”, të cilin inkuizicioni i dështak-zemërakëve të kores së zezë të protestës e ka kthyer në një aktakuzë për mua për arkitektët e huaj, 10 prej tyre janë nderuar me nobelin e arkitekturës, këtu ngarkohen me një aktakuzë. Janë masterplane të porositura nga subjekte private në troje private, të cilat arkitektët kanë zgjedhur që t’i vendosin në dosjen e tyre në libër në liri të plotë dhe ka prej tyre masterplane që nuk janë pranuar nga KKT, provë që Këshilli nuk është fasadë, por është institucion serioz.
Megjithatë inkuizicioni i përdor këto si provat e aktakuzës për tradhtinë time kombëtare, shitjen e atdheut nga unë, të gjithë të zezat që dështak zemërakët më faturojnë mua, sepse duan të ngushëllojnë veten për falimentimin e tyre në mediokritet. Por, ky agjitatori i algoritmit e ka fabrikuar kryekëput, e ka bërë vetë me ChatGPT. Shikojeni fytyrën tipike të dezinformatorëve të paguar të opinionit publik që e kanë humbur qysh në moshë të re pigmentin e skuqjes apo zverdhjes dhe që zbatojnë qorrazi urdhrat e atyre që i paguajnë mbi dhe nën dorë”, tha Rama.
Duke iu referuar rastit konkret, Rama, tha se qeveria ka ndërmarrë hapa për mbrojtjen e gjirit të Porto Palermos nga ndërtimet, duke e shpallur atë monument natyre. Ai bëri të ditur gjithashtu se, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Kulturës, po përmbyllet projekti për krijimin e Muzeut të Luftës së Ftohtë tek tuneli, si dhe rehabilitimi i repartit ushtarak pranë tij për qëllime turistike.
“Por, e dini cila është ironia më e madhe në këtë rast? Pasi kemi kthyer një sërë kërkesash gjatë viteve për ndërtime në atë zonë, ku është bërë dhe një batërdi me tituj pronësie të dhënë kuturu në kohën e copëtimit të madh të pronës në Shqipëri, unë personalisht i kam kërkuar qeverisë që të mbrojtjen e krejt gjirit të Porto Palermos nga ndërtimi dhe e kemi shpallur atë gji monument të natyrës. Ndërkohë që me ministrin e Mbrojtjes dhe të Kulturës po mbyllim projektin e muzeut të Luftës së Ftohtë tek tuneli si dhe rehabilitimin për qëllime turistike të repartit bashkëngjitur”, tha Rama.
Rama u ndal te fenomeni i dezinformimit, duke e cilësuar atë një sfidë të madhe të kohës.
“Jetojmë në një kohë shumë të vështirë për të vërtetën, por ky nuk është justifikim, kjo është dhimbje, dhimbje për aq shumë njerëz të mirë dhe të sinqertë që helmohen dhe mbyten në kanalet e dezinformimit. Por kjo është dhe një ndjesi faji, përgjegjësie, borxhi torturues ndaj tyre, sepse unë nuk kam ditur ta bëj si duhet për t’i mbajtur të informuar për t’i parapërgatitur, për t’i dhënë mundësinë që të kenë një farë imuniteti nga të gjithë viruset e atij kanali, më shkurt, më thjeshtë, për të qenë më pranë tyre”, tha Rama.
Burimi ATSH



















