
Rama: Jemi në fund të rrugës së anëtarësimit në BE, çdo lëkundje mund të ndalë procesin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çdo lloj lëkundje mund ta ndalojë procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe nëse kjo ndodh mund të marrë shumë kohë që procesi të rivihet në lëvizje.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çdo lloj lëkundje mund ta ndalojë procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe nëse kjo ndodh mund të marrë shumë kohë që procesi të rivihet në lëvizje.
Në një bashkëbisedim me pensionistë, Rama u ndal te protesta kundër investimit në Zvërnec duke theksuar se duhet të ndahet mirë pjesa e qytetarëve të pakënaqur me axhendat që punojnë kundër vendit.
“Ne jemi në fund të rrugës që na e ka sjellë fati, se janë bashkuar shumë rrethana ku mund të realizojmë atë që ishte e paimagjinueshme për t’u realizuar konkretisht dhe për t’u bërë realitet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve: anëtarësimi në Bashkimin Europian. Çdo ditë duhet të bëjmë detyra dhe t’i raportojmë atje. Dhe këtu nuk është çështja të përmbyset, se këtu, e para njëherë, nuk ka asgjë për t’u përmbysur dhe, e dyta, kush mendon se mund ta përmbysë, gabon. Këtu çështja është të përmirësohet në vijimësi”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se nëse procesi i integrimit europian ndalon, mund të marrë shumë kohë të rivihet në lëvizje.
“Ne i kemi vendosur shumë gjëra në vijë dhe ka shumë gjëra që, të vëna në vijë, duhet të shtyhen më tutje, por është absolutisht një pyetje që duhet bërë: kush ka interes që ta ndalojë këtë proces. Këtë proces çdo lloj lëvizjeje që mund të imagjinojmë, e ndalon. Çdo lloj lëkundjeje këtë proces e ndalon, mirëpo, po e ndaloi, mund të marrë shumë kohë të rivihet në lëvizje”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këtë proces ka interes ta ndalojnë, në mënyrë të vetëdijshme, forca që nuk duan që Ballkani të ndahet përfundimisht nga e shkuara dhe të ankorohet përfundimisht në Bashkimin Europian.
Por, sipas tij, “këtë proces duan ta ndalojnë edhe shumë delirantë dhe shumë sharlatanë që bëjnë edhe sikur kanë lidhje speciale me BE-në, që nuk duan t’ia dinë fare për kostot e këtij procesi”.
“Pra, pleshta që duan ta nxisin popullin që, për interesat e tyre, të djegin organizmin komplet. Nuk do të ndodhë, se s’ka çfarë të ndodhë. Por ajo që unë e përsëris është të ndahet mirë, dhe ne jemi të parët që do ta bëjmë këtë gjë, të ndahet mirë pjesa e pastër”, shtoi Rama, duke komentuar protestën.
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se “ka të drejtë absolute gjithkush që të jetë i pakënaqur dhe që të protestojë dhe kjo nuk diskutohet”.
“Pastaj, në garën e pakënaqësisë ndaj gjërave që nuk shkojnë, unë jam i gatshëm të futem dhe madje të fitoj, sepse, ndryshe nga ata që e shohin nga larg, unë e shoh nga brenda dhe unë e di shumë mirë sa gjëra nuk shkojnë dhe i shoh, por, ndryshe nga ata, duhet t’i rregulloj dhe jo thjesht t’i konstatoj e të bërtas, se nuk është ky roli; janë të ndara rolet”, shtoi ai.
“Ndërsa për ata që pastaj janë ajo korja e zezë që ka mbledhur bashkë ata që janë nëpër ekrane, ata që janë nëpër portale, ata që janë nëpër lloj-lloj situatash të tjera, është një lloj e keqeje që Shqipërinë e ka ndjekur historikisht. Ndryshojnë emrat, ndryshojnë fytyrat, ndryshojnë kohët, por ajo e keqe është aty gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë, si mallkim që e ndjek nga mbrapa dhe që e ka penguar Shqipërinë në momente të caktuara të marrë vendimet e duhura ose që e ka detyruar të shkojë mbrapsht”, u shpreh Rama.
Ajo që duhet bërë, sipas Kryeministrit, është që energjia pozitive që ka në një masë të konsiderueshme kjo protestë duhet ta kanalizojmë në të mirë të vendit dhe në funksion të atyre gjërave që njerëzit, me shumë të drejtë, kërkojnë.
“Nuk ka asnjë diskutim këtu. Unë dëgjoj shumë: ‘Po mirë, si ka mundësi, ju i keni njerëzit aty dhe ata dalin e protestojnë?’ Kjo është për ne krenari. Nuk është turp. Është krenari. Kjo është liria, siç është krenari për ne edhe pjesa e luftës kundër korrupsionit. Këta kujtojnë se na vënë në pozitë të vështirë kur thonë: “Shiko se SPAK-u…” Po SPAK-u atë punë ka, për atë punë e kemi vendosur, e kemi vendosur që do ta bëjmë, e kemi mbështetur, e mbështesim”, u shpreh Rama.
Kjo, sipas tij, tregon që “ajo që ne kemi bërë ka qenë e vërtetë, nuk ka qenë me gjasme, sepse i kishim atëherë të kufizuara forcat, se nuk kishim votat që kemi sot dhe e shtymë këtë punë përpara dhe i tërhoqëm të gjithë mbrapa nesh”.
“Sot i kemi të gjitha votat që na duhen. Nëse nuk do të ishim të lumtur fare dhe nëse nuk do të donim që kjo gjë të ndodhte, do ta kthenim me kokë poshtë. Por nuk është absolutisht kjo diçka që neve na shkon nëpër mend, sepse ne jemi këtu jo thjesht për të qeverisur; jemi këtu për të lënë mbrapa një shtet europian në Bashkimin Europian. Nuk jemi këtu thjesht për të qeverisur e për të shtyrë kohën në qeveri, por jemi për të vendosur gurë që nuk lëvizin më”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH



















