
Rama: Marrëveshja “Fincantieri”- “Kayo”, mundësi punësimi në fushën e industrisë detare
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se bashkëpunimi mes gjigandit italian të industrisë detare FINCANTIERI dhe kompanisë shtetërore KAYO shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së industrisë ushtarake

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se bashkëpunimi mes gjigandit italian të industrisë detare FINCANTIERI dhe kompanisë shtetërore KAYO shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së industrisë ushtarake
Rama theksoi se kjo marrëveshje synon zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.
“Jemi këtu sot protagonistë të mundshëm të kësaj historie të re që fillon për bazën e Pashalimanit. Jeni këtu me një kollos të industrisë globale të anijeve për të mundësuar një marrëveshje mes kompanive ‘Fincantieri’ dhe ‘Kayo’”, tha Rama.
Kjo marrëveshje, sipas tij, “hap një fazë të re duke iu referuar një kantieri detar ku kapitali njerëzor vihet në dispozicion të një historie sipërmarrjeje qindra e qindra miliona euro”.
“Sot ne jemi në një fazë krejt të re ku industria ushtarake po rilind hap pas hapi dhe marrëveshja me ‘Fincantieri’ nuk është as e para as e fundit nga marrëveshjet që po firmosen për t’i dhënë industrisë sonë ushtarake të gjithë komponentët e vetë”, shtoi Rama.
Kjo, sipas kreut të qeverisë do të mundësojë që ne të kemi një sistem industrial ushtarak që funksionon nga uniformat deri tek mjetet më sofistikuara.
“Në qendër të këtij procesi është një kompani e re publike e krijuar mbi bazën e leximit të praktikave më të mira kombëtare. Një kompani që përfaqëson interesat e publikut dhe të shtetit, kompania ‘Kayo’, e cila është aty për të ndërtuar këto partneritete duke e bërë shtetin shqiptar pjesëmarrës, jo thjesht ligjërisht por edhe financiarisht”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se kjo i hap rrugën përfitimit të ndërsjellë ekonomik midis partnerëve privatë apo publikë të kompanisë dhe kompanisë vetë që përfaqëson shtetin.
Rama vlerësoi se me këtë marrëveshje, u hodh një hap me rëndësi në përgatitjen e brezit të ri të specialistëve shqiptarë që do të mbështesin rritjen e qendrës së re industriale detare në Pashaliman, teksa forcohet më tej partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Është një kapërcim i jashtëzakonshëm i ndodhur në vitet e fundit, ky i kalimit tanimë në një fazë kur interesat e shtetit dhe të publikut strukturohen përmes agjencish të dedikuara, të cilat adresojnë temën e aseteve shtetërore, adresojnë temën e kapaciteteve shtetërore dhe adresojnë temën e shërbimeve të cilat jo vetëm duhen përmirësuar, por prej të cilave shteti duhet të kontribuojë dhe të marrë mbrapsht një pjesë të kontributit”, shtoi ai.
Rama theksoi se janë 500 vende pune që krijohen në këtë territor nga ky partneritet dhe kërkojnë njerëz të kualifikuar.
“Janë 500 vende pune të mirëpaguara, janë 500 vende pune në këtë sistem të ri që po ndërtohet. Unë besoj se këtu në Vlorë dhe në shkollën industriale “Pavarësia” ne i kemi burimet njerëzore me të cilat do të fillojë puna. Kompania “Fincantieri” do të organizojë programin e vetë të trajnimeve në burim. Pra, nxënësit e shkollës sipas programit dhe përzgjedhjes do të shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe aty do të punojnë me mjeshtrit që ka kompania”, informoi Rama.
Rama e cilësoi këtë një lajm të mirë për Vlorën dhe për arsimin tonë profesional.
Burimi ATSH



















