
Hollande: Shqipëria brenda 2030-ës në BE, parashikimi i duhur
Ish-presidenti francez, François Hollande vlerësoi se parashikimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030 është i duhuri.

Ish-presidenti francez, François Hollande vlerësoi se parashikimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030 është i duhuri.
Në një intervistë për Top Channel, Hollande kujtoi se ka qenë President, kur Franca konsideroi se Shqipëria ishte kandidat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Prej asokohe kanë kaluar vite, janë bërë shumë përpjekje, etapat janë kapërcyer, kapitujt janë hapur njëri pas tjetrit, pra dhe parashikimi i vitit 2030 është i duhuri. Ka akoma disa elemente që duhen rregulluar dhe e di se Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare po punojnë për këtë”, shtoi ai.
Duke shpjeguar më tej procedurat, Hollande theksoi se në vijim duhen bërë ratifikimet e nevojshme.
“Kjo mund të duket tepër e gjatë për shumë shqiptarë, që do kishin dashur që gjërat të ecnin më shpejt, por këto janë kërkesa të procedurave evropiane. Fakti që janë procedura shtrënguese do ta ndihmojë Shqipërinë të ketë sukses, jo vetëm për të hyrë në BE, por edhe për të qenë një faktor i rëndësishëm për BE-në”, shtoi ai.
Hollande mbështeti po ashtu planin franko-gjerman për integrim gradual dhe të strukturuar të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Ajo do t’u mundësojë vendeve kandidate, që janë gati të aderojnë, por që nuk janë akoma anëtarë të BE-së, të marrin pjesë në mbledhje në të cilat flitet pikërisht për fusha ku janë vendosur kushtet për të hyrë në BE. Pra kjo mënyrë progresive të vepruari na mundëson që të mos presim afatet që duken të largëta, siç po flisnim për 2030-n, dhe të integrohen në proces tashmë vendet kandidate, për shembull ata të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
Por, sipas tij, “nuk duhet që kjo të shikohet nga vendet kandidate si një shtyrje tjetër e aderimit”.
“Duhet të jetë një proces ku nuk ka dyshime në lidhje me arritjen e aderimit. Kjo qëndron për Shqipërinë dhe për Malin e Zi, ndërsa për Ukrainën do pritet që të gjitha kushtet të jenë plotësuar që të hyjë në BE. Por nuk janë të njëjtat afate kohore si për Shqipërinë dhe Malin e Zi, ashtu dhe për Ukrainën dhe Moldavinë”, tha Hollande.
Sipas ish-presidentit francez, “ngjarjet gjeopolitike e kanë shpejtuar dhe i kanë bindur vendet anëtare të BE-së që të presin mes tyre Shqipërinë dhe Malin e Zi, para Ukrainës dhe Moldavisë”.
“Por edhe pa këto ngjarje, procesi do të kishte ecur mirë përpara. Ne kemi nevojë të kemi në Evropë edhe Ballkanin perëndimor, dhe jo vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, apo për shkak se Moldavia është e kërcënuar. Jo. Ne kemi nevojë që Ballkani Perëndimor të zënë vendin e tyre në BE, si për shkak të arsyeve që lidhen me situatën në Ballkan, për të shmangur interferencat e huaja dhe për të forcuar sigurinë në Evropë përmes kontrollit të kufijve të saj”, shtoi ai.
Duke folur për lidhjet mes dy vendeve, Hollande u shpreh se “lidhjet mes Shqipërisë dhe Francës janë kulturore, njerëzore, por janë gjithashtu dy vende të cilat duan që të mbrohet pluralizmi në gjirin e Evropës”.
“E dimë mirë se sot ka një gjallërim të të djathtave ekstreme populiste që kërcënojnë të dobësojnë Bashkimin Evropian. Pra dua të besoj se prania e Shqipërisë në BE do të forcojë rrymën e demokracisë”, theksoi ai.
Burimi ATSH



















