
Kinematografia shqiptare flet spanjisht, dy ditë kushtuar pesë dekadave të filmit shqiptar
Círculo de Bellas Artes, një nga institucionet më prestigjioze kulturore të Spanjës, për dy mbrëmje radhazi, (18 dhe 19 qershor), prezantoi përpara publikut madrilen kinemanë shqiptare e cila në këtë event u paraqit me katër filma që përfaqësojnë periudha të ndryshme të saj.

Círculo de Bellas Artes, një nga institucionet më prestigjioze kulturore të Spanjës, për dy mbrëmje radhazi, (18 dhe 19 qershor), prezantoi përpara publikut madrilen kinemanë shqiptare e cila në këtë event u paraqit me katër filma që përfaqësojnë periudha të ndryshme të saj: dokumentarin “Here Be Dragons” të regjisorit Mark Cousins, filmin “Vdekja e Kalit” të regjisorit Saimir Kumbaro, filmin “Leaving Eden” të regjisorit dhe producentit Genc Përmeti, si dhe filmin “Kur xhirohej një film” të regjisores Xhanfise Keko.
“Këtu ka dragonj. Pesë dekada të kinemasë shqiptare” (“Aquí hay dragones. Cinco décadas de cine anjes: albanés”), kështu titullohej eventi dedikuar kinematografisë shqiptare, organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Spanjë.
Aktiviteti u çel me shfaqjen e dokumentarit “Here Be Dragons”, një vepër e regjisorit irlandez, Mark Cousins, i njohur ndërkombëtarisht për punën e tij mbi historinë e kinemasë botërore. Dokumentari, i realizuar në Shqipëri, ndalet tek historia e kinematografisë shqiptare dhe tek rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë audiovizive kombëtare. Përmes një udhëtimi në arkivat e filmit shqiptar, Cousins sjell një reflektim të ndjerë mbi kujtesën kulturore.
Pas dokumentarit të Cousins, publiku pati mundësinë të ndjekë filmin artistik “Vdekja e Kalit”, të regjisorit Saimir Kumbaro, një prej figurave më të njohura të kinemasë shqiptare. Filmi i cili konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të periudhës së fundit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, mbetet një dëshmi artistike e transformimeve shoqërore dhe morale të kohës.
Dita e dytë e aktivitetit, nisi me shfaqjen e filmit “Leaving Eden”, një prodhim bashkëkohor i regjisorit shqiptar Genc Përmeti. Para shfaqjes, vetë regjisori prezantoi filmin dhe zhvilloi një bisedë me publikun mbi procesin krijues, sfidat e prodhimit filmik dhe perspektivat e reja të kinemasë shqiptare. Përmeti, i cili ka ndërtuar një profil të rëndësishëm si producent dhe kineast në skenën ndërkombëtare, e përdor filmin për të trajtuar tema universale që lidhen me identitetin, largimin, kujtesën dhe kërkimin e vetvetes, duke e bërë veprën të kuptueshme dhe të afërt për publikun ndërkombëtar.
Filmi “Kur xhirohej një film”, një nga veprat më të njohura të Xhanfise Kekos, regjisores që konsiderohet figura më e rëndësishme femërore e kinemasë shqiptare dhe një ndër më të spikaturat e kinematografisë shqiptare, u prit me mjaft emocion. Jo pa qëllim ky film ishte lënë nga programuesi në mbyllje të eventit. Ai moment u konsiderua një homazh ndaj regjisores Xhanfise Keko, autore e njëmbëdhjetë filmave që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, përfaqëson një kapitull të veçantë në historinë e filmit kombëtar dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin artistik të kinemasë shqiptare.
Manuel Asin, drejtor për Kinematografinë në Circulo de Bellas Artes të Madridit dhe Entela Gjika, Ambasadore e Shqipërisë në Spanjë, të cilët u kujdesën për organizimin dhe prezantimin e ciklit “Pesë dekada të kinemasë shqiptare” përmes përzgjedhjes së filmave nga periudha të ndryshme – nga klasikët e Kinostudios te prodhimet bashkëkohore dhe dokumentarët ndërkombëtarë mbi Shqipërinë – arritën të paraqesin para publikut madrilen një panoramë të gjerë të evolucionit të kinemasë shqiptare gjatë pesë dekadave të fundit.
Ky event i cili nuk është i pari i këtij lloji në Madrid, u shndërrua në një dritare të hapur drejt historisë, kujtesës dhe zhvillimit të kinematografisë shqiptare dhe konfirmoi edhe një herë interesin në rritje të institucioneve kulturore evropiane për artin dhe kulturën shqiptare.
Marrë nga ATSH


















