
Rama-protestuesve: Mos u bëni peng i iluzioneve, verifikoni faktet
Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestat kundër investimit në Zvërnec, duke theksuar se shumë kauza publike rrezikojnë të deformohen nga iluzionet, gjysmë të vërtetat dhe ndikimi i algoritmeve në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestat kundër investimit në Zvërnec, duke theksuar se shumë kauza publike rrezikojnë të deformohen nga iluzionet, gjysmë të vërtetat dhe ndikimi i algoritmeve në rrjetet sociale.
Në shënimet e javës, kreu i qeverisë e nisi fjalën me një referencë nga romani i shkrimtarit francez Stendal (Stendhal), duke sjellë historinë e personazhit Fabrice del Dongo, i cili zhgënjehet kur përballet me realitetin brutal të betejës së Vaterlosë (Waterloo), ndryshe nga idealet që kishte ndërtuar në imagjinatën e tij.
Sipas kreut të qeverisë, historia e Fabrice del Dongo-s shërben si metaforë për kohën moderne, ku iluzionet dhe narrativat e rreme përhapen përmes rrjeteve sociale dhe algoritmeve, duke ndikuar në perceptimin e njerëzve për realitetin.
Rama tha se shumë qytetarë që marrin pjesë në protesta e bëjnë këtë me bindje të sinqerta për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, por ngriti pyetjen nëse ata po mbrojnë vërtet mjedisin apo po bëhen pjesë e interesave të tjera.
Ai shtoi se “historia na kujton jo sa e rrezikshme është të kesh ideale, por e rrezikshme është që idealet t’i lësh të ndërtohen mbi iluzione apo, më keq akoma, t’i lësh në duar që mund të kthehen në pengmarrëset e tua”.
“Atëherë, kur ëndrra nuk bëhet më një dritë që ndihmon të kuptosh botën, por një perde që të pengon ta shohësh atë, ajo nuk është më një ëndërr, ajo është një makth dhe ky është edhe makthi dhe mallkimi i epokës sonë, ku iluzionet nuk prodhohen më vetëm nga propaganda apo fanatizmi si dikur, por ato prodhohen edhe në hapësirën e lirisë, me pakufishmërinë e mundësisë për të përzgjedhur dhe shumëfishuar nga algoritmet, të cilat nuk kanë asnjë interes për të vërtetën, por vetëm për vëmendjen tonë, narrativa të rreme, rrugë të gabuara dhe shembje të dhimbshme iluzionesh”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.
“Sa më shumë zemërim, sa më shumë frikë, sa më shumë tronditje, aq më shumë shpërndahet iluzioni se, pak nga pak, duke u shkëputur nga realiteti, njeriu, në realitetin e kuruar nga algoritmi, mund të ndryshojë botën, mund të shembë atë që e pengon të jetë i lumtur. Mund të bëjë një kapërcim të ëndërrt pa gjykuar më mbi faktet, por mbi një version faktesh që i serviret pa pushim, e pa pushim, e pa pushim në ekranin e celularit. Pa ndjekur domosdoshmërisht të vërtetën, por duke u bërë pjesë e një historie të ndërtuar për të, të montuar, të amplifikuar dhe të rrethuar me të tjerë si pjesë e diçkaje që të bën të mendosh se ti po përjeton mishërimin e bindjes tënde të ndarë me shumë të tjerë dhe papritur nuk je më vetëm”, theksoi Rama.
Kryeministri tha se qeveria ka pasur në fokus mbrojtjen e natyrës, zonave të mbrojtura, luftën kundër gjuetisë së paligjshme dhe prerjes së pyjeve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë faktet përpara se të përfshihen në debate apo protesta.
“Prandaj edhe sot ka shumë njerëz që dalin në protesta me bindje të sinqerta, siç ka këtu jo shumë larg nga ku po flas, njerëz që mendojnë sinqerisht që duke dalë në protestë po mbrojnë natyrën, po mbrojnë flamingot, po mbrojnë një pasuri që i përket të gjithëve. Gjithçka është fisnike dhe legjitime dhe meriton shumë respekt si qëllim, por po i mbrojnë nga kush? Po i mbrojnë nga unë, po i mbrojnë nga ne? Që natyrën, mbrojtjen e natyrës, zonat e mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme, ndalimin e prerjes së pyjeve, i kemi pasur lajtmotiv dhe i kemi lajtmotiv të punës sonë. Dhe prandaj edhe thjesht, thirrja ime është që, me respekt për motivin, nuk duhet përjashtuar detyrimi për të verifikuar faktet”, vijoi Rama.
Kryeministri tha se “kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti, nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, nga një algoritëm që shpërblen gjithmonë atë që trondit, jo atë që shpjegon, atëherë idealizmi, dëshira e sinqertë, nevoja për t’u shprehur në një komunitet, kthehet në instrument, në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera”.
Burimi ATSH



















