
Festivali “Bukë e zemër”, Rama: Ruajtja e natyrës nuk nënkupton moszhvillim
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ruajtja e natyrës nuk duhet parë si pengesë për zhvillimin, por si një proces që mund dhe duhet të ecë në harmoni me mjedisin.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ruajtja e natyrës nuk duhet parë si pengesë për zhvillimin, por si një proces që mund dhe duhet të ecë në harmoni me mjedisin.
Në fjalën e mbajtur në edicionin e dytë të festivalit “Bukë e Zemër” në kryeqytet, Rama u ndal te roli i arkitekturës në ndërtimin e një raporti të ri mes njeriut dhe natyrës, duke theksuar se arkitektura është shumë më tepër sesa ndërtimi i godinave.
“Ju e dini besimin që kam unë tek arkitektura, tek bindja që arkitektët janë foshnjet e privilegjuara të Zotit dhe të vetmit mes njerëzimit që iu është dhënë nga Zoti mundësia të luajnë Perëndinë, sepse të gjithë të tjerët janë nevojë për arkitektët që të jetojnë jetët e tyre dhe të ndërtojnë botën e tyre”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha “nuk do të ishim dot këtu përreth kësaj hapësire në qoftë se pas kësaj nuk do të ishte një arkitekt dhe nuk do të jetonim në një qytet në qoftë se nuk do të kishte arkitekt pas tij. Për mua kjo është një arsye shumë e fortë për t’i besuar arkitekturës si diçka që shkon shumë përtej ndërtesave, materialeve, shumë përtej asaj çfarë shohim në fund si prani fizike”.
Kryeministri tha se tema e këtij edicioni, e lidhur me natyrën, mjedisin dhe peizazhin, synon të sfidojë mënyrën tradicionale të të menduarit për zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Donim të sfidonim veten dhe të gjithë ju duke zgjedhur një temë që për fat të keq përdoret gjithmonë për t’u përballur me arkitektët, për t’u përballur me zhvilluesit me energjitë e imagjinatës dhe të kurajës për të ndërtuar realitete të ndryshme. Përdoret për t’u përballur e për t’iu kundërvënë si të ishin njerëz që vinin nga ana negative e jetës dhe kjo është tema e natyrës, mjedisit dhe peizazhit”, nënvizoi Rama.
Kjo, vijoi Rama, na sfidon ne dhe ju për të ndihmuar dhe për kuptuar më mirë dhe kjo do të thotë të përpiqemi të kuptojmë kufijtë tanë, kufijtë tuaj dhe ndërkohë të dëgjojmë njëri tjetrin për mënyrat se si mund ti tejkalojmë këto kufij.
“Mund të hedhim hapa të mëtejshme për të provuar se ruajtja e natyrës nuk është në asnjë kohë e askund një qëndrim që nënkupton apo që është njësoj me moszhvillimin. Ruajtja e natyrës mund të ketë të bëjë dhe do të këtë të bëjë me zhvillimin në harmoni me natyrën. Jo për ta vendosur natyrën në shërbim të njerëzve, por edhe për ti vendosur njerëzit në shërbim të natyrës. Shumë e lehtë për t’u thënë se sa për t’u bërë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kujtoi një ide të një sipërmarrësi francez, sipas së cilës koncepti i qëndrueshmërisë nuk është i mjaftueshëm për brezat e ardhshëm.
“Gjithmonë kujtoj diçka që më është thënë nga një njeri shumë i çmendur, i cili nuk është arkitekt, nuk është artist, që filloi si biznesmen i suksesshëm në Francë, pastaj u zhvendos në Amerikën Latine sepse ishte i fiksuar pas shërimit të komuniteteve. Një fjalë prej tij që nuk e harroj kurrë dhe që është shumë sfiduese ishte; E qëndrueshmja nuk është aspak korrekte në raport me brezat e ardhshme, çfarë është korrekte në raport me ta, është ajo çfarë është korrekte në raport me natyrën. Që është politika rigjeneruese, një qëndrim i ripërtërirë në raport me mjedisin, zhvillimie rigjeneruese përmes arkitekturës dhe planifikimit”, tha Rama.
Edicioni i dytë i këtij aktiviteti bashkon në Tiranë mbi 600 profesionistë, arkitektë ndër më të mirënjohurit ndërkombëtarisht nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, me bashkëpunëtoret që punojnë në Shqipëri së bashku me partnerët lokalë dhe të ftuarit e tyre nga rrugë të ndryshme të jetës.
Ata do të ndajnë eksperiencat, do të diskutojnë mbi sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme, si edhe kontribuojnë për formulimin e politikave dhe masave në funksion të transformimit të madh të Shqipërisë.
Marrë nga ATSH



















