
Rama: Investimi në Zvërnec nuk do të ndalet, i hapur të flas me protestuesit
Kryeministri Edi Rama tha sot se projekti për ndërtimin e rezortit turistik në Zvërnec nuk do të ndalet.

Kryeministri Edi Rama tha sot se projekti për ndërtimin e rezortit turistik në Zvërnec nuk do të ndalet.
Gjatë një konference për shtyp se bashku me presidentin e Komisionit Evropian, Antonio Costa, i pyetur nga gazetarët, kreu i qeverisë tha se aktualisht nuk ekziston ende një projekt i miratuar, por vetëm një koncept paraprak i shoqëruar me kushte për zhvillimin e mëtejshëm.
Ai shtoi se studimi i ndikimit në mjedis është ende në proces dhe po realizohet nga konsulentë ndërkombëtarë me reputacion.
“Nga ana tjetër, nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë që unë jam këtu. Ndërkohë jam i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por mbi të gjitha duhet të sqarojmë se për çfarë janë pretendimet, sepse nëse pretendimi është për pronën, çështja e pronës falë ndërhyrjes së SPAK është një çështje që ka rrugën e vet dhe fare mirë mund të çojë në një zgjidhje ideale, për faktin se ato para mund të shërbejnë për të dëmshpërblyer pronarët. Ndërkohë që të tjerët janë pronarë sot dhe janë pronarë bazuar në letra të shtetit shqiptar që i përkasin viteve 90.
“Ndërkohë ka problem me projektin! Çudi e madhe se nuk ka projekt, ka vetëm një koncept që është miratuar dhe është shoqëruar me shumë kushte për projektin që pritet të vij. Ka probleme me impaktin mjedisor, çudi se nuk e kemi studimin mjedisor i cili do të vij dhe po kryhet në një nga konsulentë më të mëdha ndërkombëtare me reputacion botëror”, tha Rama.
Rama u ndal tek modeli i turizmit të luksit, teksa nënvizoi se është i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik të vendit, duke argumentuar se ekonomitë moderne nuk maten nga numri i turistëve, por nga të ardhurat që ata sjellin. Sipas tij, një numër më i vogël turistësh me fuqi të lartë shpenzuese gjeneron më shumë të ardhura, me më pak presion mbi mjedisin, infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Për të ilustruar, Rama solli si shembull projektin Costa Navarino në Greqi, i cili sipas tij ka gjeneruar miliarda euro ndikim ekonomik dhe mijëra vende pune, pavarësisht kundërshtimeve fillestare. Ai përmendi gjithashtu rastet e Maldives dhe Malit të Zi, duke theksuar se turizmi i luksit ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike, punësimin dhe rritjen e të ardhurave të qytetarëve.
“Ç’na duhen ne këto zhvillime kur ne nuk i aksesojmë dot pasi janë të pasurit?! Është një pyetje në dukje e thjeshtë, por e gabuar në thelb. Sepse ekonomitë serioze dhe vendet që turizmin e kanë një nga burimet kryesore, në mos kryesorin, tek të ardhurat e tyre, nuk maten me kush fle në dhomë, por sa para hyjnë në ekonomi dhe si shpërndahen ato në paga, biznese dhe shërbime publike. Shembulli është shumë i thjeshtë. 1000 turistë që harxhojnë 100 euro në ditë, janë 1000 konsumatorë që sjellin një ngarkesë të caktuar mbi trafikun, mbi shërbimin e pastrimit e kështu me radhë. Ndërsa 100 turistë që harxhojnë 2000 euro në ditë janë 100 vetë që sjellin 200 mijë euro. Dhe 10 herë më pak ngarkesë. Dy herë më shumë të ardhura, më pak beton, më pak mbeturina, më pak presion mbi natyrën. Ky është modeli që ndjekin vende që e kanë kapërcyer epokën e turizmit masiv dhe sot që sot që flasim problemin kryesor kanë si ta ulin presionin e numrave dhe të rrisin të ardhura”, tha Rama.
“Kam sjellë sot një shembull, Costa Navarinon në Greqi që u kundërshtua, ka gjeneruar 3.5 miliardë euro ndikim në atë rajon. Mbi 11 mijë vende pune direkte dhe indirekte. Për çdo 1 euro të shpenzuar brenda një resortit gjenerohen 1.6 deri në 2 euro jashtë atij rezortit në ekonominë përreth. Natyrisht që shumica e popullit grek nuk shkon të flejë në Costa Navarino, por mijëra grek të zakonshëm jetojnë prej Costo Navarinos dhe ndërkohë populli grek përfiton nga të ardhurat që sjellë Costa Navarino”, vuri në dukje ai.
“Turizmi në Maldive gjeneron 40% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar nga të cilat 25% që janë ekonomia e atij vendi vijnë nga rezortet luksoze. Një studim i bërë nga FMN-ja, ka treguar se një natë në rezort gjeneron shumë herë më tepër vlerë e ekonomike për komunitetin sesa 1000 net me kosto të ulët. Mali i Zi është vendi më i vogël i rajonit. Është nisur me të njëjtin start me të gjitha vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Prej vitesh ka pagat më të larta në rajon. Turizmi në Malin e Zi mbështet 1 në çdo 4 vende pune dhe FMN-ja thotë rritja e numrit të turistëve në mënyrë të përvitshme është arsyeja kryesore e rritjes ekonomike të Malit të Zi dhe rënies së numrit të papunësisë në nivele historike. Natyrisht këtë sukses Mali i Zi e ka nga turizmi i luksit, e ka nga hotelet, nga resortet ku nuk shkojnë malazezët e zakonshëm, por prej të cilët malazezët e zakonshëm kanë paga më të larta, kanë pensione më të larta dhe kanë shumë më tepër mundësi për të hapur biznese dhe rritur biznese lokale rreth e rrotull. Investimi nuk ndalet, por jam i hapur që të flas”, tha Rama.
Në përfundim Rama tha “teoria ndalu ti, se jemi ne, me mua nuk ka funksionuar, nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë sa kohë që unë jam këtu me votat e shumicës së shqiptarëve. Kush thotë ne jemi populli duhet të mendohet mirë se populli është ai që flet ditën e zgjedhjeve”.
Marrë nga ATSH



















