
Rama: Së shpejti ndërmarrim reformën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se së shpejti qeveria do të ndërmarrë reformën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se së shpejti qeveria do të ndërmarrë reformën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në fjalën e tij gjatë konferencës rajonale me temë: “Nga Prona te Progresi”, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama tha se reforma do të sjellë më shumë përgjegjësi nën një strukturë të vetme administrative.
“Do të sjellim më shumë detyra nën një çati, sepse të pasurit e agjencive të veçanta dhe të ndara nuk e kanë ndihmuar procesin, sepse kur agjencitë shkojnë në drejtime përkatëse ka krijuar më tepër konfuzion dhe ka sjellë më tepër telashe”, theksoi Rama.
Tani, vijoi Kryeministri, besoj se kemi një ide të qartë dhe të mirë se si ta formësojmë administratën e pasurive të paluajtshme nga A-ja tek Zh-ja, me bashkimin e një sërë agjencive në një.
“Ndërsa pjesa tjetër është të vazhdojmë dhe të vazhdojmë punën. Kemi bekimin, por gjithashtu edhe mallkimin që kemi ‘’tutor’’ mbi kokë, që quhet Bashkim Evropian dhe që na thotë se kjo është mirë, kjo është keq; këtu ke dalë mirë, këtu nuk ke dalë mirë, kështu që vazhdo këtu, vazhdo atje me drejtimin e punës që dhe kjo ndihmon patjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi përpjekjet dhe ndihmën e partnerëve.
“Bashkimin Europian së pari dhe më i rëndësishmi që patjetër ka qenë dhe ka marrë në konsideratë me bujari kërkesat tona për të ndihmuar këtë proces në Kadastër. Tani me ndihmën e Bashkimit Europian po bëjmë diçka që funksionon dhe që po funksionon goxha mirë. Kështu që po, do ta mbyllim këtë proces me shpresë, shumë shpejt. Ndërsa pjesa tjetër e partnerëve kanë dhënë këshilla jashtëzakonisht shumë të mira dhe i falënderoj dhe dua të falënderoj gjithashtu edhe disa nga njerëzit që i njoh në këtë tryezë nga ana jonë sepse të gjithë dhe secili prej tyre në pozicionin e vet, ka bërë punën e duhur dhe po bën punën e duhur”, tha Rama.
Burimi ATSH


















