
Shqipëria, në tregun ndërkombëtar të industrisë filmike “Marché du Film”
Në Kanë mbylli siparin “Marché du Film”, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë, ku Qendra Kombëtare e Kinematografisë së bashku me Qendrën Kinematografike të Kosovës, u përfaqësuan me sukses me stendën e përbashkët.

Në Kanë mbylli siparin “Marché du Film”, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë, ku Qendra Kombëtare e Kinematografisë së bashku me Qendrën Kinematografike të Kosovës, u përfaqësuan me sukses me stendën e përbashkët.
Marché du Film (Tregu i Filmit) është krahu i biznesit i Festivalit të Filmit në Kanë dhe tregu më i madh ndërkombëtar i filmave në botë. I mbajtur çdo maj në Kanë të Francës, ai është vendi ku blihen, shiten dhe financohen shumica dërrmuese e të drejtave globale të filmave. Marché du Film është vendi ku industria globale e argëtimit mblidhet për të zhvilluar biznes.
Tregu tërheq mbi 14,000 profesionistë nga më shumë se 140 vende. Pjesëmarrësit përfshijnë: agjentë shitjesh dhe distributorë që kërkojnë të fitojnë të drejta ndërkombëtare për filma të përfunduar ose filma që janë ende në prodhim. Në Marche du Film ku u përfaqësua Shqipëria me Kosovën, zakonisht, mbahen mbi 1,500 shfaqje, duke u lejuar blerësve të shohin filma të përfunduar, dokumentarë dhe projekte në zhvillim e sipër.
Gjatë ditëve të këtij tregu të industrisë së filmit, edhe QKK mori pjesë në një sërë takimesh thelbësore me institucione filmi dhe aktorë kyç të industrisë ndërkombëtare. Në këto takime, një rëndësi të veçantë mori prezantimi i ligjit të ri shqiptar të kinematografisë dhe audiovizualit, i cili u prit me interes të lartë.
QKK bëri të ditur se, kjo pjesëmarrje rikonfirmoi vizionin për ta bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën botërore të filmit dhe për të thelluar bashkëpunimet dhe bashkëprodhimet.
Burimi ATSH



















