
Falje 100% e detyrimeve deri në 2014, procedurat për përfitimin nga Paqja Fiskale
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi udhëzimin për përcaktimin e afatit dhe procedurës së aplikimit për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026, në zbatim të ligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi udhëzimin për përcaktimin e afatit dhe procedurës së aplikimit për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026, në zbatim të ligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”.
Paqja Fiskale përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë, rritjes së transparencës financiare dhe forcimit të besimit tek sistemi fiskal.
Administrata Tatimore thekson se zbatimi i kësaj nisme do të kryhet në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nën monitorimin e ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian, me qëllim garantimin e standardeve më të larta të transparencës, integritetit dhe besueshmërisë.
Po ashtu, bëhet e ditur se do të ketë kontrolle dhe monitorim të shtuar për të parandaluar çdo tentativë abuzimi apo përdorimi të kësaj nisme për pastrim parash, përmes analizës së riskut, shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe përdorimit të sistemeve të inteligjencës artificiale për evidentimin e rasteve me risk.
Sipas udhëzimit, për vitin tatimor 2026 aplikimi për lidhjen e marrëveshjes së Paqes Fiskale mund të kryhet elektronikisht nga data 15 maj 2026 deri më 5 qershor 2026. Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati do të refuzohen.
Tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes sistemit e-filing, te rubrika “Çështjet e mia” – “Pyetje e përgjithshme”, duke vendosur titullin “Aplikim për marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe duke ngarkuar formularin përkatës të aplikimit.
Tatimet sqarojnë se aplikimi konsiderohet i dorëzuar në momentin e konfirmimit të regjistrimit nga sistemi dhe pajisjes me një numër unik çështjeje.
Në rast se gjatë verifikimit paraprak konstatohen mungesa apo pasaktësi në dokumentacion, tatimpaguesi do të njoftohet elektronikisht për plotësimin e tyre brenda 3 ditëve pune. Mosplotësimi i dokumentacionit brenda këtij afati sjell refuzimin e aplikimit.
Sipas procedurës së përcaktuar, pas verifikimit të kushteve ligjore, vendimmarrja mbi aplikimin do t’i komunikohet tatimpaguesit brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se data 10 qershor 2026, në llogarinë e tij në sistemin e-filing.
Në rast të miratimit të aplikimit, hartohet marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila nënshkruhet nga drejtoria rajonale tatimore ku është i regjistruar tatimpaguesi dhe më pas dorëzohet elektronikisht nga përfaqësuesi ligjor apo personi fizik jo më vonë se data 15 qershor 2026.
Tatimpaguesit që do të kryejnë rideklarim të pasqyrave financiare për vitet 2023, 2024 dhe 2025 duhet, deri më 30 qershor 2026, duhet të kryejnë pagesën e tatimit sipas ligjit për Paqen Fiskale, të dorëzojnë formularët përkatës të rideklarimit dhe pasqyrat financiare të korrigjuara në format PDF dhe Excel përmes sistemit e-filing.
Administrata Tatimore thekson se rezervon të drejtën për të kërkuar informacion shtesë lidhur me ndryshimet e reflektuara në pasqyrat financiare dhe deklaratat tatimore.
Ligji parashikon një paketë të gjerë lehtësish fiskale për bizneset dhe individët, duke synuar uljen e barrës së detyrimeve të akumuluara ndër vite, formalizimin e ekonomisë dhe rikthimin e subjekteve në marrëdhënie të rregullta me administratën tatimore.
Në fokus të këtij procesi janë detyrimet e papaguara deri në fund të vitit 2024, ku për kategori të ndryshme tatimpaguesish parashikohen masa të ndryshme fshirjeje apo shuarjeje të detyrimeve, penaliteteve dhe kamatëvonesave.
Për detyrimet që i përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014, ligji parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara, përfshirë gjobat dhe interesat, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk falet detyrimi principal.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015-2019, tatimpaguesve u jepet mundësia të përfitojnë nga shuarja e një pjese të principalit nëse kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara nga ligji.
Konkretisht, falet 50% e principalit nëse pjesa tjetër paguhet brenda periudhës 10-30 qershor 2026, ndërsa falet 25% e principalit nëse pagesa e mbetur kryhet deri më 31 dhjetor 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Ndërkohë, për detyrimet që lidhen me periudhën 2020-2024, ligji parashikon fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave me kusht që tatimpaguesi të shlyejë 100% të detyrimit principal brenda afatit të përcaktuar.
Një tjetër kategori përfituese janë subjektet e çregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, për të cilat parashikohet fshirja e detyrimeve, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ligji përfshin gjithashtu lehtësi për subjektet që kanë deklarata të padorëzuara apo të dorëzuara me vonesë, duke parashikuar fshirjen e gjobave për mosdeklarim ose deklarim të vonuar për periudhat deri në fund të vitit 2024, nëse deklaratat përkatëse dorëzohen deri më 30 qershor 2026.
Po ashtu, fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare, si edhe penalitetet e krijuara si pasojë e ndryshimeve në listëpagesa për shkak të akteve ligjore me efekt prapaveprues apo vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Administrata Tatimore ka sqaruar se nuk do të përfitojnë nga dispozitat e ligjit subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore ose doganore, subjektet në hetim apo proces gjyqësor për këto vepra, si edhe subjektet ndaj të cilave ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të administratës tatimore apo doganore.
Për tatimpaguesit që ndodhen në proces ankimi administrativ apo gjyqësor, ligji u jep mundësinë të përfitojnë nga lehtësitë fiskale vetëm nëse heqin dorë nga ankimimi ose procesi gjyqësor sipas procedurave ligjore.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre në sistemin “e-Filing” dhe të ndjekin afatet e përcaktuara për të përfituar nga masat lehtësuese të parashikuara në ligj.
Udhëzimi, i firmosur nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në faqen zyrtare të Tatimeve.
Marrë nga ATSH


















