Samiti i IV i Diasporës, Rama: Diaspora nga histori largimi në forcë zhvillimi për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Shënimet e javës” në Podkastin “FLASIM” u ndal te rëndësia e Samitit të IV të Diasporës, i zhvilluar në Tiranë më 13–15 prill, duke theksuar se ky aktivitet konfirmoi një ndryshim të qartë në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe diasporës


Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Shënimet e javës” në Podkastin “FLASIM” u ndal te rëndësia e Samitit të IV të Diasporës, i zhvilluar në Tiranë më 13–15 prill, duke theksuar se ky aktivitet konfirmoi një ndryshim të qartë në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe diasporës.

“Samiti i IV i Diasporës, i cili u zhvillua më 13 dhe 15 prill, konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës”, tha Rama.

Sipas tij, ky ndryshim ishte reflektuar edhe më herët në pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje.

“Them konfirmoi sepse kjo ishte diçka që ne e pamë dhe e prekëm konkretisht edhe në zgjedhjet e shkuara, ku diaspora mori pjesë në një numër jo të vogël krahasimisht me pritshmëritë, sepse ishte hera e parë që merrte pjesë në zgjedhje dhe ku, sipas këndvështrimit tim, u konfirmua një mbështetje masive për shkak të ndryshimeve dhe transformimit të madh që Shqipëria ka pësuar në këto vitet e fundit”, shtoi Rama.

Rama theksoi se roli i diasporës ka evoluar ndjeshëm, duke kaluar përtej remitancave.

“Sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo thjesht dhe vetëm përmes asaj që diaspora ka bërë gjithmonë, që ka qenë mbështetja monetare e familjeve këtu në Shqipëri, por edhe përmes elementësh realisht të admirueshëm të botës së saj të re”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se lidhja mes diasporës dhe vendit është forcuar në mënyrë konkrete.

“Çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen”, u shpreh Rama.

Në vijim, kryeministri renditi disa nga treguesit kryesorë ekonomikë që, sipas tij, pasqyrojnë transformimin e vendit.

“Është një realitet që lidhet drejtpërdrejt, siç thashë, me transformimin e vetë Shqipërisë nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të brendshëm, siç ishte ekonomia që ne morëm kur nisëm këtë rrugëtim qeverisës, në një ekonomi me rreth 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm, me objektivin për të arritur në 35 miliardë euro deri në fund të kësaj dekade. Nga një vend me më pak se 3000 euro të ardhura për frymë, në një vend me mbi 11000 euro të ardhura për frymë, me synimin për të kapërcyer 15000 euro në fund të kësaj dekade. Nga 2 milionë turistë dikur, ku për turistë numëroheshin edhe ata që shkonin jashtë dhe, kur ktheheshin, futeshin në listën e këtyre 2 milionë e disave, në një Shqipëri që pret 12 milionë vizitorë në vit, siç ndodhi jo më larg sesa disa muaj më parë, kur u mbyll viti 2025. Nga disa 300-400 milionë euro investime të huaja në vit, në mbi 1.6 miliardë euro në vit”, theksoi Rama.

Rama theksoi se këto zhvillime reflektojnë një ndryshim të thellë në perceptimin dhe funksionimin e vendit.

“Këto nuk janë thjesht shifra, por janë vetëm shumë pak tregues të një Shqipërie që është rritur, të një Shqipërie që është forcuar dhe që ka ndryshuar mënyrën si funksionon dhe si perceptohet. Dhe mbi të gjitha, ky ndryshim reflektohet në raportin mes Shqipërisë dhe diasporës”, tha Rama.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Begaj: Kuvendi i Sinjës dëshmoi rëndësinë e unitetit në prag të shpalljes së Pavarësisë

Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot 114-vjetorin e Kuvendit të Sinjës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më domethënëse…

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Begaj: Kuvendi i Sinjës dëshmoi rëndësinë e unitetit në prag të shpalljes së Pavarësisë

Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot 114-vjetorin e Kuvendit të Sinjës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më domethënëse…