
Rama në Krutje: Qasja e re e mbështetjes synon të nxisë bashkëpunimin mes fermerëve
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerët në Krutje të Lushnjës

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerët në Krutje të Lushnjës, mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori, me synimin për të arritur standardet e kërkuara të tregut të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se, përtej shifrave dhe financimeve, të cilat kanë rëndësinë e tyre por nuk janë kurrë të mjaftueshme, thelbi është që të ketë një mirëkuptim të përbashkët mes të gjithë atyre që e shohin bujqësinë si burim jetese dhe zhvillimi.
Ai nënvizoi se sot sfida kryesore nuk është mungesa e financimeve, por kuptimi i qartë i hapave që duhen ndërmarrë për të siguruar burimet e nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm.
Kryeministri theksoi se koha nuk pret dhe se prej vitesh sektori përballet me paragjykime ndaj bashkimit mes fermerëve.
Sipas tij, bashkëpunimi sjell përfitime konkrete ekonomike.
“Vetëm duke u bashkuar secili fiton 30% më shumë. Është llogari e bërë. Vetëm në prodhim, bashkë në shitje. Secili ka tokën e vetë, por ama kur del në treg bashkë krijon masë, krijon fuqi negocimi për ҫmimin, krijon garanci dhe krijon qëndrueshmëri”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se qasja e re e qeverisë në financim dhe mbështetje synon të nxisë pikërisht bashkëpunimin mes fermerëve, duke mbështetur ata që kërkojnë të rriten, të forcohen dhe të zhvillojnë jo vetëm prodhimin, por edhe përpunimin përmes projekteve konkrete.
Marrë nga ATSH



















