
Rama: Asnjë kompromis me sigurinë ushqimore, sfidë për integrimin në BE
Kryeministri Edi Rama tha sot nga Berati, ku zhvilloi një takim me sipërmarrës të zonës në fushën e përpunimit të vajit të ullirit, se siguria ushqimore është një nga sfidat kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama tha sot nga Berati, ku zhvilloi një takim me sipërmarrës të zonës në fushën e përpunimit të vajit të ullirit, se siguria ushqimore është një nga sfidat kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se nuk mund të ketë asnjë kompromis për sigurinë ushqimore. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje sipërmarrësve të marrin informacionin e duhur për standardet e kërkuara dhe të ndërmarrin investimet e nevojshme.
Sipas tij, në rast se Shqipëria aderon në BE, prodhuesit që nuk përmbushin standardet jo vetëm që nuk do të mund të eksportojnë prodhimin e tyre, por nuk do ta tregtojnë dot as në tregun vendas.
“Ne kemi domosdoshmërinë që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian për 1001 arsye, por duhet të jemi të vetëdijshëm se ka edhe 1001 sfida. Një nga më të vështirat është siguria ushqimore. Kjo do të thotë se, duke u bërë pjesë e BE-së, nuk është më çështje që nuk eksporton dot diçka që nuk është në parametrat e sigurisë së atij vendi, por nuk e shet dot as këtu atë produkt. Për këtë arsye, dua që të gjithë ata që merren dhe kanë investuar në prodhim apo agropërpunim të jenë të vetëdijshëm se duhet të investojnë për të garantuar standardet”, tha Rama.
Ai informoi prodhuesit se “ka ardhur një inspektim nga BE për pjesën më delikate të kësaj fushe, që është ajo e produkteve me origjinë shtazore, pra bulmeti dhe mishi. Janë rreth 900 pika në Shqipëri që trajtojnë këtë segment të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Janë lënë një sërë rekomandimesh, që nga kategoria ku duhen bërë disa përmirësime për të arritur standardet, te kategoria që është larg standardeve, por që ka mundësi t’i arrijë me investime domethënëse, si dhe kategoria e fundit, që sipas tyre duhet të hiqet fare nga lista. Unë besoj shumë që shqiptarët kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur dhe do t’i rezistojnë kësaj vale”.
Rama theksoi se tashmë është e nevojshme që prodhuesit në Shqipëri të nisin të përshtaten me standardet e kërkuara dhe të investojnë sipas kërkesave të BE-së.
“Duhet të fillojë që tani nga puna për të kuptuar qartë se çfarë kërkon BE dhe të interesohet kushdo që ka investuar në këtë sektor, qoftë edhe një tullë, në mënyrë që të mos humbasë investimin, por të ketë informacionin e duhur. Nuk mund të ecim me idenë se rregullohemi nesër. Këtë nuk e bëjmë dot pa arritur të plotësojmë standardet që kërkohen nga një shtet anëtar i BE-së. Patjetër që janë të vështira, por janë në të mirë të konsumatorit, pasi bëhet fjalë për sigurinë ushqimore”, u shpreh Rama gjatë bashkëbisedimit.
Burimi ATSH



















