
Rama: Të rinjtë nuk i ndalojmë dot të provojnë botën, po rriten kthimet ndaj largimeve nga vendi
Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me të reja e të rinj studentë në sallën “Liria” në Qytetin “Studenti” iu përgjigj interesit të tyre lidhur me largimin e të rinjve nga vendi duke theksuar se “kemi zgjedhur të jemi një vend i hapur”.

Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me të reja e të rinj studentë në sallën “Liria” në Qytetin “Studenti” iu përgjigj interesit të tyre lidhur me largimin e të rinjve nga vendi duke theksuar se “kemi zgjedhur të jemi një vend i hapur”.
“Lavdi Zotit jo më si në kohën e mëparshme kur nuk dilnim dot nga Shqipëria, kemi pranuar sfidën e të jetuarit në një botë të hapur dhe pjesë e kësaj sfide është që njerëzit do të lëvizin, do ikin, do kërkojnë ëndrrën e tyre aty ku i çon ëndrra, disa nuk do të kthehen më, disa do të kthehen dhe nuk ka një alternativë ndaj kësaj”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se shkaqet për largimin e të rinjve janë nga më të ndryshmet.
“Por kini parasysh që keni dëgjuar dhe dëgjojmë u zbraz fshati. Ne kemi fshatin shumë larg së qeni aty ku është në gjithë vendet e BE-së. Në vendet e BE-së raporti i njerëzve që banojnë në qyet në raport me njerëzit që banojnë në fshat është 80% me 20%, ku 80 % janë në qytet dhe 20% në fshat, në Shqipëri janë 60% në qytet dhe 40% në fshat, tek 40% një pjesë janë jashtë ashtu siç janë tek 60%”, shpjegoi Kryeministri.
“Tani një mënyrë për ta ndaluar këtë nuk ka se po të kishte do ta kishin ndaluar të tjerët. Çfarë mund t’i thuhet një të riu 20 vjeç që ka përpara gjithë botën në celular, është në një realitet të një fshati të largët apo të afërt, edhe thotë që dua të shkoj ta provoj veten time në Evropë, Amerikë ose Australi”, tha Rama.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, të gjitha vendet përfshirë edhe Hungarinë që pati një moment ku ktheu raportin e lindjeve me vdekjen, të gjitha vendet kanë rënie të lindjeve dhe Evropa po plaket, është fakt.
Kreu i qeverisë përmendi edhe studimet e fundit sipas të cilave tendenca ka filluar të lëvizë, edhe pse ka akoma më shumë ikje se kthime.
“Por kemi një raport më të balancuar mes ikjeve dhe kthimeve. Kemi realitete si Berati ku ka më shumë kthime se sa largime. Kjo lidhet me faktin se njerëzit në Berat kanë parë oportunitet edhe thonë pse të rri unë akoma në Greqi e të punoj për pronarin kur kam shtëpinë time në Managalem dhe disa kursime, e bëj shtëpinë bujtinë dhe e kam gjithë vitin me punë dhe nxjerr çdo muaj më shumë se sa fitoj tek pronari”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më mirë se ç’është sot.
“A është aq mirë sa duhet të jetë për të gjithë jo, nuk është a është vendi ku çdo i ri e ka të sigurt të nesërmen e nuk duhet të iki, s’ka pse ikën, jo nuk është, por ama nuk do ta gjeni askund në Evropë atë lloj vendi sepse ai vend nuk ekziston më”, vijoi Kryeministri.
“As në Gjermani, askund nuk ekziston më ai vendi ku çdo i ri e ka të sigurt të nesërmen aty. Çdo i ri ka të sigurt vetëm një gjë. Që do luftojë për të fituar atë që kërkon ose mund të gjendet në situata shumë të vështira. Nuk besoj se dyshon njeri se s’ka shkop magjik nuk ka transformime të atilla që të bëjnë kthesa aq të mëdha. Ne kemi zgjedhur demokracinë, të ndërtojmë një sistem ku mund t’i çosh njerëzit me zor në punë dhe mund t’i kërkosh njerëzve sakrifica kolektive të cilat imponohen nga lart, është zgjedhje e lirë secili bën zgjedhjen e vet. Ajo që ne bëjmë, përpiqemi çdo të ditë të përmirësojmë në çdo drejtim diçka. Përgjithësisht ia dalim në shumë raste nuk ia dalim vazhdojmë përpiqemi”, përfundoi Rama.
Burimi ATSH



















