
Fushatë ndërgjegjësuese kundër bullizmit: Të rinjtë apel për veprim dhe solidaritet
Bullizmi vijon të mbetet një nga sfidat më shqetësuese për fëmijët dhe të rinjtë, duke u shfaqur jo vetëm në ambientet shkollore, por edhe në hapësirat publike dhe në botën digjitale.

Bullizmi vijon të mbetet një nga sfidat më shqetësuese për fëmijët dhe të rinjtë, duke u shfaqur jo vetëm në ambientet shkollore, por edhe në hapësirat publike dhe në botën digjitale.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, 1 në 3 nxënës në botë, përfshirë Shqipërinë, përjeton forma të bullizmit, ndërsa 1 në 10 mungon në shkollë për shkak të frikës dhe ankthit që ai shkakton.
Në këtë kontekst, një video ndërgjegjësuese e realizuar nga studentët e Universitetit Bedër, në kuadër të fushatës “Peace and Harmony”, po tërheq vëmendjen mbi pasojat e rënda që sjell kjo dukuri dhe rëndësinë e reagimit shoqëror.
Nëpërmjet mesazheve emocionale dhe përvojave të drejtpërdrejta, të rinjtë evidentojnë se bullizmi nuk është thjesht një sjellje kalimtare, por një fenomen që lë pasoja afatgjata në shëndetin mendor dhe zhvillimin personal të individit.
Ata theksojnë se ofendimet, talljet dhe përjashtimi social mund të çojnë në ankth, depresion dhe vetëizolim, ndërsa bullizmi online e përforcon më tej këtë ndikim negativ.
Mesazhi kryesor i videos është i qartë: kundërshtimi i bullizmit është thelbësor për ta frenuar atë. Sipas të dhënave të prezantuara, në rastet kur një dëshmitar ndërhyn, gjasat që bullizmi të vazhdojë ulen ndjeshëm.
Ky projekt editorial është realizuar në bashkëpunim me Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, duke vënë në dukje edhe lidhjen mes bullizmit dhe rrezikut të radikalizmit.
Sipas organizatorëve, ndjenja e përjashtimit dhe izolimit tek të rinjtë mund t’i bëjë ata më të prekshëm ndaj ideologjive ekstremiste.
Përmes kësaj nisme theksohet se parandalimi i bullizmit nis me ndërgjegjësimin dhe reagimin e përbashkët të komunitetit.
Shkollat duhet të ofrojnë një mjedis të sigurt për çdo nxënës, ndërsa prindërit, mësuesit dhe shoqëria duhet të luajnë rol aktiv në identifikimin dhe adresimin e rasteve.
Fushata nënvizon gjithashtu rëndësinë e vlerave të përbashkëta si respekti, mirësia dhe harmonia sociale, si elementë kyç për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Kjo iniciativë është zhvilluar me mbështetjen financiare të Bashkimi Evropian në kuadër të Programit Botëror për Forcimin e Rezistencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm (STRIVE), të zbatuar nga Hedayah në partneritet me institucionet vendase.
Organizatorët theksojnë se lufta kundër bullizmit kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe reagim të menjëhershëm nga çdo individ, duke nënvizuar se çdo akt i vogël kundërshtimi dhe mbështetjeje mund të bëjë diferencën në jetën e një fëmije.
Burimi ATSH



















