
Nga astronomia te dronët me printim 3D, sipërmarrësit e rinj prezantohen në podkastin “Flasim”
Katër sipërmarrës të rinj ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”, ku përcollën eksperiencat e tyre se si kanë shndërruar në sukses përdorimin e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit.

Katër sipërmarrës të rinj ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”, ku përcollën eksperiencat e tyre se si kanë shndërruar në sukses përdorimin e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit.
Rrezarta Ibrahimi dhe Ardit Bicaj, me origjinë nga Kosova, janë sipërmarrës të kompanisë “Cosmoknowledge LLC”, një platformë globale për edukim në astronomi dhe shkencë me bazë në Hjuston, SHBA.
“Cosmoknowledge” renditet sot ndër 10 markat më të mëdha edukative në astronomi në botë, me mbi 5 milionë ndjekës në rrjete sociale.
Rrezarta tregon se pas shumë viteve të jetesës ndërmjet SHBA-së, Europës dhe Azisë Juglindore, ka vendosur të bëjë Tiranën bazën kryesore të kësaj sipërmarrjeje.
“Shqipëria na ka frymëzuar me energjinë, kreativitetin dhe potencialin e saj për zhvillim dhe inovacion, ndaj kemi zgjedhur të ndërtojmë këtu kapitullin tonë të ardhshëm”, u shprehën ata.
Rrezarta tregoi se “Cosmoknowledge” bashkëpunon me shkencëtarë dhe astrofizikanë nga e gjithë bota, për të sjellë zbulimet më të fundit të universit në një mënyrë të thjeshtë, të kuptueshme dhe frymëzuese për publikun.
Ata ndanë në podcast-in “Flasim” rrugëtimin e kompanisë “Cosmoknowledge”, ndërsa theksuan edhe vizionin për ndërtimin e një planetariumi dhe observatori në Tiranë.
Ky projekt është vetëm fillimi i një vizioni që mund të bëhet një simbol kombëtar i dijes, inovacionit dhe krenarisë shqiptare.
Ndërsa dy vëllezërit Toldi dhe Kalion Aleksi janë sipërmarrës në Shqipëri në fushën e printimit 3D, një teknologji që sot po rishkruan rregullat e prodhimit, industrisë dhe inovacionit në mbarë botën.
Ata treguan se si një nga shembujt më domethënës të fuqisë së kësaj teknologjie është prodhimi i dronëve përmes printimit 3D, siç po ndodh aktualisht në Ukrainë.
Sipas tyre, kjo është një teknologji që u jep mundësi vendeve të vogla dhe sipërmarrjeve të reja të konkurrojnë në industri që më parë ishin të paarritshme.
Në këtë drejtim, vëllezërit Aleksi treguan se po punojnë për krijimin e një droni, i cili do të jetë gati deri në muajin gusht të këtij viti.
Nga ana e tij, Kryeministri i informoi se qeveria ka krijuar një program shumë të kërkuar dhe të frekuentuar për startup-et.
“E kemi rritur financimin prej disa miliona euro ku të rinjtë që kanë potencial kërkojnë ndihmë për ta zhvilluar”, tha Rama.
Ndërsa instrumenti tjetër, sipas Kryeministrit, ka të bëjë me rastet kur bëhet fjalë për teknologji që mund t’i shërbejë shtetit për veprimtari të caktuara.
“Në këtë rast mund të krijohet kompani e përbashkët për të zhvilluar produktin. Por produkti duhet të jetë më bindës, jo thjesht premtues, por funksional. Nëse ju do të jeni në gjendje të provoni se droni juaj ka disa kapacitete, mund të ofroheni për të bërë një partneritet me shtetin për emergjencat, ushtrinë, kontrollin e territorit etj.”, tha Rama.
I pyetur mbi vizionin për Shqipërinë 2050, Rama theksoi se Shqipëria e ka gjithë të mirën para.
“Shqipëria ka dalë nga ciklet e pafundme të rrethit vizicioz dhe ka hyrë në një rrugë dhe perspektivë të re. Ka një gjë që mua më jep optimizëm për Shqipërinë 2050. Ne shqiptarët jemi ‘mace me tetë shpirtra’ dhe sido të na hedhësh biem në këmbë”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH



















