
Rama: Rritja ekonomike e pakrahasueshme, kërkohet disiplinë për të shmangur qëndrimin “vendnumëro”
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara duke afirmuar një rritje të qëndrueshme.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara duke afirmuar një rritje të qëndrueshme.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ndau opinionin e tij lidhur me situatën komplekse ku ndodhet vendi.
“Jemi pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë, çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave në kohë rekord si edhe pas zhvillimeve që lidhen sa me ecurinë edhe fatin e reformës historike në drejtësi aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërinë politike dhe shtetbërjen demokratike për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se rritja ekonomike është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mërpashme. Ndërkohë sipas tij, “Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë”.
“Ndërkohë që projektet në zhvillim apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat janë më të shumta dhe domethënëse për nga impakti se kurrë më parë udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet disa rreziqe që kërkojnë një kuptim të drejtë, adresim të vendosur dhe disiplinë të fortë nga ana jonë”, u shpreh Rama.
Përndryshe, sipas tij “Shqipëria rrezikon të bëjë vendnumëro duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për t’u ngjitur më në fund aty ku e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe ku patjetër meritojnë fëmijët tanë”.
Rama theksoi se çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe e fuqisë së vendit nesër për të vazhduar të jetë tërheqës, dinamik dhe i respektuar ndërkombëtarisht.
“Rreziku që të bëhemi irrelevant është real. Kam parasysh vendin tonë. Jemi më rrelevant se asnjëherë dhe mund të bëhemi edhe më rrelevant”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave, por është një udhëkryq mjegullash botëkuptimote dhe erërash artificiale që rrezikojnë të na nxijnë, çorodisin dhe ngatërrojnë pastaj me këmbët tona.
“U ka ndodhur më parë dhe në vende të tjera partive të mëdha kur kanë ngatërruar sensin e madhësisë dhe të forcës së tyre me thellësinë e sfidave dhe peshën e përgjegjësisë së tyre. Sot po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, e para e familjes sonë politike por edhe krejt vendit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “pikërisht kur duhet të ngjitemi edhe më lart, tanimë diferencën midis pikës ku jemi dhe ku duam të mbërrijmë, e bën çdo detaj dhe çdo ditë nga mënyra se si ne e shfrytëzojmë ditën”.
“Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që ne e bëmë me shumë vështirësi. Por është ende më e vështirë të ngjitesh më lart sot. Po të shohësh edhe dinamikën dhe natyrën e sfidave në procesin e negociatave, kjo bëhet edhe më evidente sepse çdo hap i ri vjen me një sfidë të re, më komplekse se më parë. Për këtë duhet shumë përgatitje dhe forcë”, shtoi Rama.
Por kryeministri theksoi se në këtë udhëkryq kemi në dorë një busull të pagabueshme, Shqipërinë në BE.
“Sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit se sa një muaj më parë dhe këtë nuk e them faktikisht metaforikisht. Kjo falë shpejtësisë me të cilën po ecim në atë proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë së bashku”, shtoi Rama.
/Marrë nga ATSH



















