
Kumbaro: Hapet thirrja për Programin Kombëtar të Financimit të Doktoraturave 2026, afati deri më 31 tetor
Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) kanë hapur sot thirrjen për Programin Kombëtar të Financimit të Doktoraturave 2026

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) kanë hapur sot thirrjen për Programin Kombëtar të Financimit të Doktoraturave 2026, që synon mbështetjen e studentëve të ciklit të tretë dhe zhvillimin e kërkimit shkencor në vend.
Programi ofron financim për zhvillimin e kërkimit shkencor, me fokus të veçantë te inovacioni dhe fushat STEM, duke synuar që puna kërkimore e studiuesve të rinj të kontribuojë në shkencë, ekonomi dhe zhvillimin e vendit.
Sipas ministres Kumbaro, programi zbatohet mbi parimin “Një thirrje – dy kategori – një standard kombëtar”, ku përfshihen doktoratura kërkimore standarde, Kategoria A, dhe doktoratura industriale, si dy modalitete të së njëjtës skemë kombëtare financimi.
“Të dyja kategoritë do të trajtohen përmes një kuadri të unifikuar administrativ, financiar, monitorues dhe transparence, me synim krijimin e një standardi të përbashkët për mbështetjen dhe zhvillimin e kërkimit doktoral”, vuri në dukje ajo.
Aplikimet për Programin Kombëtar të Financimit të Doktoraturave 2026 hapen më 1 tetor dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 31 tetor 2026, ora 10:00.
Ministria e Arsimit dhe AKKSHI u bëjnë thirrje kandidatëve të interesuar të njihen me dokumentacionin e plotë të thirrjes dhe të paraqesin aplikimet brenda afatit të përcaktuar.
Doktoratura kërkimore standarde (Kategoria A) dhe doktoratura industrial (Kategoria B) trajtohen si dy modalitete të së njëjtës skemë kombëtare financimi, me një kuadër të unifikuar administrativ, financiar, monitorues dhe të transparencës. Doktoratura industriale (Kategoria B) dallon vetëm për shkak të kërkesave të posaçme që burojnë nga bashkëpunimi i detyrueshëm dhe verifikueshëm ndërmjet institucionit të arsimit të lartë dhe partnerit industrial.
Programi synon të mbështesë zhvillimin e studiuesve të aftë për të realizuar kërkim shkencor të pavarur, të kontribuojë në rritjen e cilësisë dhe standardeve të formimit doktoral dhe të nxisë prodhimin e rezultateve kërkimore me vlerë dhe potencial për t’u përdorur në zhvillimin e shkencës, ekonomisë dhe politikave publike.
Në këtë kuadër, çdo projekt i propozuar për financim duhet të demonstrojë një problem ose pyetje kërkimore të qartë dhe origjinale, një metodologji të përshtatshme dhe të realizueshme, si dhe një plan të besueshëm për zhvillimin e kompetencave kërkimore të doktorantit dhe arritjen e rezultateve të parashikuara.
Marrë nga ATSH


















