
Ndryshime ligjore, më shumë mbrojtje dhe zgjedhje për pensionet private
Projektligji i ri i hartuar nga Ministria e Financave dhe hedhur per konsultim publik, synon përafrimin e mëtejshëm të kuadrit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimin e rregullave për administrimin dhe mbikëqyrjen e fondeve të pensionit privat.

Qytetarët që zgjedhin të kursejnë për pensionin privat pritet të kenë më shumë mundësi dhe mbrojtje, sipas ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për fondet e pensionit privat”.
Projektligji i ri i hartuar nga Ministria e Financave dhe hedhur per konsultim publik, synon përafrimin e mëtejshëm të kuadrit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimin e rregullave për administrimin dhe mbikëqyrjen e fondeve të pensionit privat.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me krijimin e mundësisë për zhvillimin e skemave të pensionit profesional dhe veprimtarive ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian. Kjo pritet të zgjerojë alternativat për qytetarët dhe punonjësit që duan të krijojnë kursime shtesë për periudhën e pensionit.
Projektligji parashikon kërkesa më të forta për shoqëritë administruese, drejtuesit dhe personat që ushtrojnë funksione kyçe, duke përfshirë kritere për profesionalizmin, integritetin, menaxhimin e rrezikut dhe kontrollin e brendshëm.
Për mbrojtjen e kursimeve të anëtarëve, përcaktohet një kapital minimal prej 125 mijë eurosh për shoqëritë administruese, ndërsa parashikohet kapital shtesë në raport me nivelin e aktiveve të administruara. Për aktivet mbi 250 milionë euro, kapitali shtesë llogaritet në masën 0.02%, deri në një kufi maksimal prej 10 milionë eurosh.
Ndryshimet krijojnë gjithashtu mundësi për përdorimin e menaxherëve të investimeve të autorizuar në vendet e BE-së, duke synuar zgjerimin e ekspertizës dhe alternativave të investimit për fondet shqiptare.
Një tjetër element është forcimi i transparencës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) parashikohet të mbajë një regjistër publik të institucioneve dhe skemave përkatëse, si dhe të komunikojë informacionin pranë autoriteteve evropiane.
Kuadri i ri përcakton edhe më qartë të drejtat e fituara të anëtarëve, përfituesit e shtyrë, kontributet dhe përfitimet pensionale, duke synuar një mbrojtje më të qartë të kursimeve të qytetarëve gjatë gjithë periudhës së pjesëmarrjes në skemë.
Ndryshimet janë pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me rregullat dhe praktikat e Bashkimit Evropian në fushën e pensioneve profesionale dhe fondeve private të pensionit.
Burimi ATSH



















