
Ibrahimaj: Po finalizojmë detajet e reformës së re të pensioneve
Shqipëria është bërë pjesë e një diskutimi ndërkombëtar mbi të ardhmen e sistemeve të pensioneve, me zhvillimin në Tiranë, per dy ditë me radhë të Seminarit Teknik të Rrjetit Evropian të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA European Network – IEN).

Shqipëria është bërë pjesë e një diskutimi ndërkombëtar mbi të ardhmen e sistemeve të pensioneve, me zhvillimin në Tiranë, per dy ditë me radhë të Seminarit Teknik të Rrjetit Evropian të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA European Network – IEN).
Seminari me temë “Strengthening services in pension schemes – Meeting the needs of older persons” mblodhi në Tiranë përfaqësues dhe ekspertë të institucioneve të sigurimeve shoqërore nga Holanda, Gjermania, Suedia, Sllovakia, Greqia, Polonia, Çekia, Turqia dhe vende të tjera evropiane.
Në aktivitet morën pjesë sekretari i përgjithshëm i ISSA-s, Marcelo Abi-Ramia Caetano, Presidenti i Rrjetit Evropian të ISSA-s, Yunus Elitaş, si dhe drejtues e ekspertë të fushës.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në fjalën përshëndetëse falënderoi ISSA-n për zgjedhjen e Tiranës dhe e cilësoi shkëmbimin e eksperiencave ndërkombëtare veçanërisht të rëndësishëm për Shqipërinë, në një kohë kur po punohet për reformën e re të pensioneve.
Ibrahimaj u shpreh se mendimet dhe diskutimet e zhvilluara gjatë punimeve në seminar janë të rëndësishme, pasi qeveria shqiptare wshtw duke menduar për reformën e re të pensioneve.
Ajo theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë ku po punohet për finalizimin e detajeve të reformës, duke nënvizuar nevojën për të përfituar nga përvoja e vendeve të tjera.
“Ndaj dhe, në këtë fazë të rëndësishme të punës që kemi hyrë, ku duhet të finalizojmë detajet e fundit të saj, për ne është e rëndësishme të dëgjojmë eksperiencat tuaja dhe të ndajmë tonat”, tha ministrja.
Ibrahimaj u ndal edhe te sfidat që përballojnë sistemet e sigurimeve shoqërore, duke vënë në dukje se zhvillimet demografike, sociale dhe ekonomike kërkojnë sisteme të qëndrueshme dhe transparente.
“Të gjithë bashkë kujdesemi në një epokë e cila ka sfida të jashtëzakonshme, si sfida demografike, sfida sociale, sfida ekonomike. Kujdesemi që të krijojmë sisteme të qëndrueshme, të cilat mund t’i rezistojnë kohës dhe të cilat të jenë transparente, të jenë të thjeshta për të kuptuar”, theksoi ajo.
Në fokus të seminarit ishte përmirësimi i shërbimeve të pensioneve përmes digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve. Ekspertët diskutuan mbi përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, zhvillimin e llogaritësve online të pensioneve dhe mënyrat e informimit të qytetarëve për të drejtat dhe përfitimet e tyre.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte ruajtja e asistencës njerëzore për personat që kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë, krahas zhvillimit të shërbimeve digjitale.
Programi përfshiu gjithashtu diskutime mbi planifikimin për daljen në pension, shërbimet për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e sektorit bujqësor, si dhe rastet e pensioneve dhe karrierave të sigurimit në më shumë se një shtet.
Shqipëria u përfaqësua në diskutimet teknike nga drejtues dhe ekspertë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Seminari në Tiranë shërbeu si një forum për shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve evropiane të sigurimeve shoqërore dhe diskutimin e praktikave të reja për modernizimin e shërbimeve të pensioneve.
Marrë nga ATSH



















