
Dita Botërore e Liqeneve, AKKSHI: Shkenca dhe inovacioni, me rëndësi për mbrojtjen e ekosistemeve ujore
Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) theksoi se liqenet duhet të shihen jo vetëm si pasuri natyrore dhe peizazhe për t’u admiruar, por edhe si laboratorë natyrorë për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative.

Dita Botërore e Liqeneve, që shënohet më 27 gusht, vë në fokus rëndësinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit në mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të liqeneve.
Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) theksoi se liqenet duhet të shihen jo vetëm si pasuri natyrore dhe peizazhe për t’u admiruar, por edhe si laboratorë natyrorë për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative.
Sipas AKKSHI-t, monitorimi i cilësisë së ujit, vlerësimi i biodiversitetit, identifikimi i ndotjes dhe analizimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike kërkojnë përdorimin e teknologjive dhe zgjidhjeve të reja.
Në këtë drejtim, inovacioni mundëson monitorim më të shpejtë dhe të saktë të cilësisë së ujit, sisteme inteligjente për zbulimin dhe parandalimin e ndotjes, teknologji të reja për trajtimin dhe rehabilitimin e ujërave, si dhe sisteme digjitale për mbledhjen, ruajtjen dhe analizimin e të dhënave.
“Shkenca na ndihmon t’i kuptojmë liqenet. Inovacioni na ndihmon në menaxhimin efektiv të tyre”, nënvizon AKKSHI, teksa evidenton rëndësinë e ndërthurjes së kërkimit shkencor me teknologjinë për ruajtjen e ekosistemeve ujore.
Burimi ATSH



















