
Sala: Plan Kombëtar për Hepatitet Virale, synohet eliminimi i hepatiteve B dhe C
Për herë të parë, vendi ynë miraton Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe angazhimit të vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

Për herë të parë, vendi ynë miraton Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe angazhimit të vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në një mesazh në rrjetet sociale, tha se “një sistem shëndetësor modern nuk pret që sëmundja të përparojë. Ai investon në parandalim, forcon survejancën, diagnostikon herët dhe krijon mundësinë që pacienti të trajtohet në kohë”.
“Shqipëria nis rrugëtimin drejt eliminimit të hepatiteve virale. Ky Plan nuk është thjesht një dokument strategjik. Ai është një angazhim konkret për të zgjeruar testimin dhe diagnostikimin, për të përmirësuar gradualisht aksesin në trajtim dhe për të afruar kujdesin pranë qytetarëve”, tha ajo.
“Qendrat e specializuara do të mbeten kyçe, ndërsa do të punojmë, hap pas hapi, për forcimin e shërbimeve rajonale, kujdesit parësor dhe kapaciteteve diagnostikuese. Një nga objektivat kryesorë është zgjerimi progresiv i kritereve të trajtimit, në mënyrë që kujdesi të mos kufizohet vetëm te format e avancuara të sëmundjes”, vijoi Sala.
Sipas Salës, “ky plan është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërmjet institucioneve shqiptare, ekspertëve kombëtarë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai përfaqëson një model modern të politikave shëndetësore, të bazuara në prova shkencore, në standardet e OBSH-së dhe në drejtimin strategjik të Evropës për shërbime më të aksesueshme, më të barabarta dhe më pranë qytetarit”.
Sala nënvizoi se “ky është një proces që fillon sot, por kërkon angazhim afatgjatë, investime, forcim të kapaciteteve dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”.
“Hepatitet virale janë ndër shkaqet kryesore të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Prandaj, lufta kundër infeksionit është njëkohësisht edhe pjesë thelbësore e luftës kundër kancerit, një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, theksoi ajo.
“Objektivi ynë është i qartë: më pak infeksione të reja, më shumë diagnoza dhe trajtime në kohë, më pak cirrozë, më pak kancer të mëlçisë dhe më shumë jetë të mbrojtura”, tha Sala.
Në fund, Sala theksoi në mesazhin e saj se “me këtë plan, Shqipëria nis një rrugëtim të ri drejt eliminimit të hepatiteve virale dhe drejt një sistemi shëndetësor më modern, më evropian, më të barabartë dhe më pranë çdo qytetari”.
Burimi ATSH



















