
Rama: Makineria elektorale e PS duhet të transformohet për realitetin e ri të pritshmërive
Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek transformimi i makinerisë elektorale të Partisë Socialiste, ndërsa vuri në dukje se del për detyrë të shpëtohet kjo makineri nga vetvetja.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek transformimi i makinerisë elektorale të Partisë Socialiste, ndërsa vuri në dukje se del për detyrë të shpëtohet kjo makineri nga vetvetja.
Duke folur në takimin me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, ku prezantoi një tjetër dokument “Prania Besnike”, aneksi i dokumentit “Besa” të prezantuar më herët, Rama parashtroi momentin që po kalon vendi me protestat.
“Sot, kur bulevardi i flamingove na ka futur zyrtarisht pikërisht në fazën e re të pritshmërive të rritura dhe kur në jetën sociale dhe politike një faktor i ri me një fuqi gjithnjë dhe më shtypëse për të vërtetën, algoritmi është futur duke e spostuar dita-ditës burimin e informimit të qytetarëve në pasqyrat e celularëve, ku një botë e re risish dhe djallëzish thith babëzisht vëmendjen e njeriut”, theksoi ai.
“Ka ardhur koha që ne t’i bëjmë vetes shumë pyetje, duke e nisur nga një pyetje mbi makinerinë tonë elektorale, mund t’ia drejtojmë atë pyetje kryetarit të organizatës më të mirë socialiste në çdo bashki të vendit, ai apo ajo, se kemi bashkëkryetarë normalisht, dinë të na thonë sa vota socialiste kanë në qendrën e tyre të votimit apo në një pallat, apo në fshat. Por, po të provojmë të pyesim: Sa herë i keni dëgjuar ju me vesh të hapur të gjithë ata që i numëroni symbyllur? Kam frikë se po të përgjigjen pa dorashka do thonë: asnjëherë”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “qysh se kemi qenë në opozitë mbase dhe ndryshimi i kësaj përgjigjeje është domosdoshmëri jetike për ecurinë e mëtejshme për mosndryshkjen dhe mosplakjen e Partisë Socialiste”.
“Një domosdoshmëri me të cilën ne që jemi këtu, drejtuesit politikë dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore duhet të jetojë nga sot e tutje me sensin e përparësisë së përditshme. Në epokën e mungesave, makineria jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë në epokën e pritshmërive”, tha Rama.
Kjo makineri, shtoi Rama, duhet të bëjë një transformim jetik, sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërisht sapo ka filluar.
“Kur flas për mirënjohje kam parasysh dhe dijen që janë bërë shumë gjëra dhe shpresën e mbështetur tek ajo vetëdije që të tjera gjëra do bëhen. Prandaj, ju e meritoni mbështetjen. Ndërkohë që sot është krejt tjetër skena që po formësohet për të gjithë ata faktorë që fola dhe detyra jonë është jo ta mbrojmë makinerinë nga çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja”, tha Rama.
Burimi ATSH

















