
Salla në Kurbin: “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mundësi financimi për fermerët dhe bizneset bujqësore
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi agroturizmin “Lahuta e Vjetër” në Kurbin

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi agroturizmin “Lahuta e Vjetër” në Kurbin, një sipërmarrje e cila ka zgjeruar aktivitetin falë mbështetjes përmes financimit me Kredi të Butë me Garanci Sovrane.
Gjatë vizitës, Salla u shpreh se ky investim është një shembull i mënyrës se si mbështetja publike po nxit zhvillimin e sipërmarrjeve rurale, rritjen e prodhimit dhe krijimin e vlerës së shtuar në sektorin agro-ushqimor.
Sipas ministrit, financimi i përfituar për ndërtimin e bujtinës dhe zgjerimin e aktivitetit me një stallë blegtorale ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve pritëse e prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e bashkëpunimit me fermerët e zonës.
Në këtë kuadër, Salla ftoi fermerët dhe sipërmarrësit të bëhen pjesë e Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili synon të lehtësojë aksesin në financim dhe të mbështesë investimet në bujqësi.
“‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ është një mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrësit që të investojnë, të zgjerojnë aktivitetin, të përpunojnë më shumë dhe të krijojnë vlerë të shtuar përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor”, deklaroi Salla.
Ministri theksoi se qeveria do të vijojë mbështetjen për investimet që lidhin bujqësinë me agropërpunimin dhe agroturizmin, me synim zhvillimin e ekonomisë rurale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në treg.
Burimi ATSH



















