
Matematikanët kinezë fitojnë Medaljen “Fields” për herë të parë
Dy matematikanë kinezë ishin ndër katër laureatët e Medaljes “Fields” për vitin 2026, çmimit më të lartë në matematikë, në ceremoninë e hapjes së Kongresit Ndërkombëtar të Matematikanëve në Filadelfia të ShBA-së të enjten.

Dy matematikanë kinezë ishin ndër katër laureatët e Medaljes “Fields” për vitin 2026, çmimit më të lartë në matematikë, në ceremoninë e hapjes së Kongresit Ndërkombëtar të Matematikanëve në Filadelfia të ShBA-së të enjten.
Kjo shënon herën e parë që shtetasit kinezë fitojnë këtë medalje që nga fillimi i dhënies së saj më 1936.
Wang Hong, profesore në Institutin e Studimeve të Larta Shkencore (IHES) në Francë, zgjidhi hipotezën Kakeya trepërmasore, një problem në analizën harmonike dhe teorinë e matjes gjeometrike që i kishte munduar matematikanët për më shumë se një shekull.
Wang, e diplomuar e Universitetit të Pekinit dhe e doktoruar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT), është gjithashtu medalistja e tretë “Fields” femër në histori, pas Maryam Mirzakhani-t në vitin 2014 dhe Maryna Viazovska-s më 2022.
Deng Yu, profesor në Universitetin e Çikagos, kreu një derivim rigoroz të ekuacionit të Boltzmann-it nga dinamika e sferës së rëndë njutoniane me bashkëpunëtorët e vet Zaher Hani e Xiao Ma. Kjo shënon një gur kilometrik drejt problemit të 6-të të Hilbertit, një prej 23 pyetjeve themelore të shtruara nga David Hilbert në vitin 1900. Deng studioi në Universitetin e Pekinit përpara se të kalonte në MIT dhe të merrte doktoraturën në Universitetin “Princeton”.
Burimi CGTN

















