
Koçiu në startup-in në Durrës: “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mundësi reale për të siguruar financim
Programi qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, duke u krijuar mundësi të investojnë, të rrisin aktivitetin dhe të bëhen më konkurruese.

Programi qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, duke u krijuar mundësi të investojnë, të rrisin aktivitetin dhe të bëhen më konkurruese.
Programi ofron financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues, me norma interesi preferenciale 2–3% me afat 10 vjet, ndërsa përmes Garancisë Sovrane shteti mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë, duke ulur ndjeshëm rrezikun për bankat dhe kostot e huamarrjes për sipërmarrjet.
Programi mbështetet nga një fond fillestar prej 250 milionë eurosh, i vënë në dispozicion me synim që të shtohet ky fond derinë 1 miliard euro , dhe u drejtohet bizneseve që operojnë në të gjitha fushat e ekonomisë, me përparësi për bujqësinë, agro-përpunimin, prodhimin, teknologjinë, turizmin, tregtinë, logjistikën dhe shëndetësinë private. Krahas financimit, sipërmarrjet përfitojnë edhe asistencë profesionale për hartimin e planit të biznesit, përmes ekspertëve të Ministrisë së Ekonomisë.
Detajet e programit u prezantuan nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, gjatë një vizite në një sipërmarrje në Durrës, e cila nisi aktivitetin në vitin 2023 si startup nga dy të rinj, motër e vëlla, në fushën e prodhimit të ambalazheve prej kartoni.
Biznesi e nisi aktivitetin me vetëm tre punonjës, ndërsa sot ka zgjeruar prodhimin dhe ka rritur numrin e të punësuarve, duke u kthyer në një shembull të zhvillimit të sipërmarrjeve të reja.
Koçiu tha se kjo sipërmarrje u zgjodh pikërisht sepse përfaqëson profilin e bizneseve që programi synon të mbështesë.
“Zgjodhëm këtë biznes që nisi si startup, një nga ato sipërmarrje të vogla që sot kanë nevojë për mbështetje për t’u zhvilluar më tej. Përmes kësaj vizite duam të informojmë të gjitha sipërmarrjet e vogla dhe të mesme se programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ u jep një mundësi reale për të siguruar financimin që u nevojitet për të investuar dhe për t’u zgjeruar”, u shpreh ajo.
Sipas Koçiut, programi krijon një mekanizëm financimi që u mundëson bizneseve të marrin kredi me kushte shumë më të favorshme.
“Shumë biznese kanë projekte të mira, por nuk arrijnë të sigurojnë kapitalin e nevojshëm. Me këtë program, shteti garanton një pjesë të kredisë, duke krijuar mundësi që sipërmarrjet të financohen me interesa shumë të ulëta”, tha ajo.
Koçiu bëri të ditur se programi mbështet gjithashtu bizneset me ekspertizë për hartimin e planit të biznesit, një element i domosdoshëm për aplikimin.
Ajo theksoi se 89% e ndërmarrjeve që operojnë në Shqipëri janë biznese mikro, të vogla dhe të mesme, ndërsa një në katër nuk arrin të ketë akses në financim bankar.
“Ky program vjen si një mekanizëm financimi me kushte shumë lehtësuese. Synimi ynë është të ndihmojmë bizneset shqiptare të investojnë, të rriten dhe të përgatiten për konkurrencën në tregun europian”, deklaroi zëvendëskryeministrja.
Koçiu u bëri apel sipërmarrjeve të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.
Nga ana e tij, sipërmarrësi tregoi se ideja për ngritjen e biznesit lindi pasi shumica e kutive të kartonit importoheshin nga Maqedonia e Veriut.
“Vendosëm ta ndërtojmë këtë aktivitet në Shqipëri për t’iu përgjigjur kërkesës së tregut. Sot kemi arritur rezultate shumë të mira dhe objektivi ynë i radhës është prodhimi i ambalazheve për vezët, si edhe zhvillimi i riciklimit sipas standardeve më të mira,” tha ai.
Për të përfituar nga programi, bizneset duhet të kenë NIPT aktiv, vërtetim tatimor dhe plan biznesi. Për sipërmarrjet që nuk disponojnë ende një plan të tillë, Programi “dyfisho Nofrohet mbështetje profesionale për përgatitjen e tij. Aplikimet kryhen pranë bankave tregtare partnere të programit dhe do të jenë të hapura deri më 20 nëntor 2027.
Për më shumë informacion mbi kriteret dhe procedurat, subjektet mund të konsultojnë portalin zyrtar dyfisho.ekonomia.gov.al.
Marrë nga ATSH



















