
Gonxhja: Plazhet e menaxhuara nga bashkitë po ndikojnë në uljen e çmimeve edhe tek privatët
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha sot pas mbledhjes së qeverisë se sezoni veror ka nisur me ritme shumë pozitive, duke shënuar nivele rekord të vizitorëve të huaj në Shqipëri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha sot pas mbledhjes së qeverisë se sezoni veror ka nisur me ritme shumë pozitive, duke shënuar nivele rekord të vizitorëve të huaj në Shqipëri.
Gonxhja tha se një nga risitë kryesore të këtij sezoni është tipologjia e re e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Ministri sqaroi se krahas plazheve të lira, ku qytetarët mund të pushojnë pa pagesë, tashmë funksionojnë edhe plazhe publike të administruara nga bashkitë, të cilat ofrojnë çadra, shezlongë, shërbime higjieno-sanitare dhe infrastrukturë të përmirësuar kundrejt tarifave të përcaktuara.
“Sezoni veror ka nisur shumë mbarë, sa i takon vizitorëve të huaj në vendin tonë, është në nivele rekordesh, kemi një numër shumë të lartë vizitorësh, peshuesish, turistësh e tranzituesish. Do doja të theksoja tipologjinë e re të plazheve publike sepse mund të jetë krijuar dhe një keqkuptim kur ne shikojmë se ka zona të plazheve publike, ku do të theksohet se janë, publike por duke qenë se janë të menaxhuara nga bashkitë nuk kuptohet qartë tipologjia”, sqaroi ministri.
“Kemi një risi sivjet sa i takon menaxhimit të plazhit, për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg sa i takon çmimeve dhe tarifave dhe duke shtuar një tipologji të re që është tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetëqeverisje vendore. Kemi bërë të mundur që krahas plazhit të lirë, pa asgjë ku mund të pushojë kushdo pa asnjë pagesë dhe pengesë, kemi dhe topologjinë e plazheve që disa bashki i kanë vendosur tashmë, që kanë të gjitha shërbimet, çadra dhe shezlongë, kanë edhe një shërbim po themi më të zgjeruar hidro-sanitar edhe nga pikëpamja e higjienës, i cili në disa prej bashkive është tarifuar me disa prej tarifave që kanë tavane. Për shembull në disa bashki mund të jetë 400 lekë, në disa 700 lekë dhe në disa 1000 lekë. Kjo është bërë në varësi të llojit të plazheve dhe raportin e madhësisë së plazheve me numrin e pushuesve”, tha Gonxhja.
Ai theksoi se kjo skemë ka ndikuar edhe në tregun privat, pasi operatorët privatë janë detyruar të mbajnë çmime konkurruese përballë ofertës së plazheve publike të menaxhuara.
“Tipologjitë e plazheve publike të menaxhuara, kanë bërë të mundur që edhe plazhet private të ruajnë tashmë në çmimet e tyre këto tavane sepse e kanë të konkurrueshme ofertën e tyre nga këto plazhe që menaxhohen nga bashkitë. Pra edhe një herë rritet aksesi i publikut, rritet cilësia dhe garantohet për publikun për çdo xhep për çdo qytetar mundësia për të pasur një akses shumë më ekonomik”, tha ai.
Ministri u ndal edhe te siguria në plazhe, duke bërë apel për kujdes të shtuar pas disa rasteve fatale të regjistruara këtë sezon. Ai u kërkoi prindërve dhe kujdestarëve të frekuentojnë vetëm plazhe të mbikëqyrura nga vrojtues dhe të pajisura me sinjalistikën përkatëse.
“Po bëjmë ç’është e mundur për të garantuar numrin e vrojtuesve. Ka pasur dhe disa ngjarje me fatalitet ku dua të theksoj që dhe prindërit dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për fëmijët duhet të bëjnë kujdes dhe të frekuentojnë plazhe aty ku janë të vrojtuara dhe të sinjalizuara me sinjalistikë orientuese, pra që janë të menaxhuara nga bashkitë dhe që ka një mbulim me vrojtues”, tha ministri.
Sipas tij, bashkitë kanë detyrimin të vendosin sinjalistikë në të gjitha zonat ku nuk ka vrojtues, ndërsa qytetarët duhet të tregojnë kujdes në zonat natyrore dhe të pamenaxhuara, ku nuk ofrohen shërbime sigurie.
“Bashkitë kanë detyrimin që në të gjitha zonat ku nuk ka vrojtues të ketë sinjalistikën e cila vendoset kur këto janë stacione plazhi, natyrisht që bashkitë nuk mund të mbajnë përgjegjësi për zona që janë krejtësisht natyrore, apo pa shërbim. Vetë qytetarët duhet ta kuptojnë që aty ku është e sinjalizuar është zonë plazhi dhe aty ku është e sinjalizuar ka dhe specifikën se çfarë garantohet. Në çdo stacion plazhi sinjalistika është shumë e rëndësishme që qytetarët duhet ta kenë parasysh”, tha Gonxhja.
Burimi ATSH



















