
Rama: Një qeveri duhet të dëgjojë kritikën, por nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se një qeveri duhet të dëgjojë edhe kritikën edhe zemërimin, por nuk mund të negociojë destinacionin për të cilin është zgjedhur.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se një qeveri duhet të dëgjojë edhe kritikën edhe zemërimin, por nuk mund të negociojë destinacionin për të cilin është zgjedhur.
Në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se nuk mund të ndërtohet një shtet nëse merr drejtimin nga fryn era.
Duke komentuar edhe thirrjet për dorëheqje në protestë, Rama solli në vëmendje metaforën e Odiseut përballë sirenave.
“Nuk e di se për çfarë arsye, mund ta kam lënë dhe përshtypjen sikur më ka shkuar ndërmend që unë të jap dorëheqje. Kam pasur shumë mesazhe dhe gjithmonë e më shumë, sepse gjithmonë e më shumë njerëz ftillohen, gjithmonë e më shumë njerëz shohin që e gjitha kjo është diçka që nuk rri as në qiell dhe as në tokë. Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm, edhe sikur kurrë mos na ketë votuar kurrë, të pranojë që Tirana të bëhet një një territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Nuk e pranon dot askush më këtë”, tha Rama.
Sipas tij, në protestë vijnë njerëz nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe nga territore të tjera për “ta shpëtuar” Shqipërinë në emër të shqiptarëve.
“Në momente të tilla kam shumë kënaqësi të kujtoj Odiseun kur afrohet pranë sirenave. Përkundrazi, ai insiston që t’i dëgjoj sepse vetëm ai që i dëgjon kupton se sa i madh është tundimi në një mënyrë ose një tjetër. Por ai bën një gjë tjetër. Lidhet shumë fort mbas direkut të anijes. Jo se s’ka besim tek vetja, por sepse ai nuk e negocion destinacionin. Ai e ndalon me litarët që lidh veten tek direku, sepse e di që çdo gjë mund të ndodhë, por qëllimi është ajo që e ka çuar deri aty”, tha Rama.
Sipas tij, metafora e Odiseut është metafora më e jashtëzakonshme e lidershipit dhe e qeverisjes.
“Një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët. Përkundrazi, një qeveri duhet të dëgjojë. Një qeveri duhet ta dëgjojë dhe, patjetër, një grup parlamentar, flas për një grup qeverisës, duhet ta dëgjojë edhe gjithçka që thuhet në atë sheshin e xhirimeve, pra algoritmin, dhe nga diskutimet e para është shumë e qartë që janë dëgjuar. Duhet të dëgjojë kritikën dhe zemërimin. Nuk është e mundur që një qeveri ta skualifikojë duke ia hedhur të gjithë fajin algoritmit. Nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk mund ta bëjë kurrë nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit”, theksoi Kryeministri.
Por Rama tha se sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit.
“Nuk ndërtohet një shtet, si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision historik si ky që na ra të mbartim për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Europian, duke i dhënë Shqipërisë momentin e dytë më të madh historik mbas Lidhjes së Prizrenit, nëse qeveria dhe grupi udhëheqës, merr drejtimin nga fryn era dhe sugjestionohet nga zhurmat, sugjestionohet nga sirenat”, tha Rama.
Sipas tij, një grup udhëheqës që ka një mision, shkon deri në fund kundër të gjitha llojeve të parashikimeve.
“Unë jam shumë aktiv në rrjetet sociale, por kurrë nuk besoj që mund të drejtohem prej zhurmës, prej erës dhe prej dallgëve që mund të ngrihen aty. Unë mund të ndjehem përgjegjës për shumë gjëra që duhet të shkojnë më mirë”, shtoi Rama.
Kryeministri siguroi se “do të vazhdojmë të korrigjojmë gabimet tona, pa diskutim dhe këtë jemi përpjekur të bëjmë gjithmonë”.
“Ne kemi një detyrë që nuk e ka askush tjetër. Këta të tjerët nuk e kanë këtë detyrë. Ne kemi detyrën të ndërtojmë shtetin dhe shteti nuk ndërtohet duke bërë luftë nëpër kanalet e algoritmave në emër te përmirësimit. Shteti ndërtohet në radhë të parë duke mos e humbur drejtimin e historisë”, tha Kryeministri Rama.
Marrë nga ATSH



















