Rama: Protestat po ushqejnë perceptime negative, po godasin imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se protesta kundër investimit në Zvërnec po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurt për turistët.


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se protesta kundër investimit në Zvërnec po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurt për turistët.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin.

“Anulimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit”, tha Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:

Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:

1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe të pasigurtë për turistët. Anulimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.

3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës.

4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqija që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën.

5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre.

Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy:

Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Nufi: Shqipëria e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal në mbrojtje dhe siguri

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC),…

Global 360

Kurti pret Hamzën, diskutojnë rrugët për ndryshimin e aktgjykimit të Speciales

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza për një…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Pas vetingut, sfida është konsolidimi i institucioneve të drejtësisë

"Drejtësia shqiptare ndodhet pikërisht në këtë pikë të rrugës"

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Nufi: Shqipëria e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal në mbrojtje dhe siguri

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC),…