
Protestat, Rama: Turistët e huaj po anulojnë rezervimet
Kryeministri Edi Rama tërhoqi sot vëmendjen për efektet negative që po sjellin protestat të cilat po reflektohen drejtpërdrejt me anulimin e rezervimeve për sezonin tursitik nga turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama tërhoqi sot vëmendjen për efektet negative që po sjellin protestat të cilat po reflektohen drejtpërdrejt me anulimin e rezervimeve për sezonin tursitik nga turistët e huaj.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama u ndal te ndikimi i klimës së debatit publik në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
“Një reflektim parathënës lidhur me disa simptoma, të cilat më shqetësojnë dhe duhet të shqetësojnë këdo që është i interesuar që gjërat të shkojnë më mirë në Shqipëri, jo të shkojnë më keq. Dhe besoj që edhe ndër ata që protestojnë, një pjesë duan që gjërat në Shqipëri të shkojnë më mirë dhe janë sinqerisht shqetësuar për si do të shkojë zhvillimi i investimit në Zvërnec. Ndërkohë që një pjesë tjetër, pjesa dominante, nuk është se nuk duan që gjërat të shkojnë më mirë, absolutisht, por, ashtu siç ata duan që të shkojnë gjërat, më e keqja vjen për Shqipërinë”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se Vlora masivisht e do zhvillimin.
“Dhe këtu kam parasysh ato partitë e vogla, që mbetën të vogla apo që u bënë të vjetra. Këtu kam parasysh, prurjet që vijnë nga territore të tjera, se çfarë lidhje kanë ata me këtë temë, që ka të bëjë me Vlorën dhe që vetëm në Vlorë nuk ka shkaktuar asnjë lloj proteste, sepse Vlora masivisht atje e do zhvillimin, kjo është një pikëpyetje të cilës unë nuk dua t’ia jap përgjigjen, por do ta lë pikëpyetje”, tha Rama.
Në këtë drejtim, kryeministri tërhoqi vëmendjen për problematikën e anulimeve të rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj.
“Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet: ‘Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese”, theksoi ai.
Rama theksoi se “nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë, ato para që do të hyjnë normalisht me një sezon turistik të qetë, atëherë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo”.
“Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi”, tha Kryeministri.
Sipas kryeministrit nëse axhenda e protestës është pengesa e vendit për të frustruar njerëzit kundër qeverisë, kjo nuk ka funksionuar, por patjetër që do të sjellë një dëm të madh.
“Nëse ka një axhendë protesta për të penguar Shqipërinë nga të katërt anët dhe, përmes pengesës, për të krijuar një frustrim dhe pastaj për t’i bërë njerëzit që të thonë: ‘Hajde se po e heqim këtë qeveri, vetëm që të na lini rehat’, atëherë kjo është një axhendë që është jo e re. Është një axhendë që është përdorur në vende të tjera, është një axhendë që është përdorur dhe këtu nga molotovarët, por që nuk ka për të funksionuar. Dëmi, patjetër që do të jetë i madh, edhe i panevojshëm, sipas meje”, shtoi Kryeministri.
Ndërkohë Rama theksoi se një tjetër simptomë shumë e neveritshme, është bullizmi ndaj njerëzve në Facebook dhe në Instagram.
“Kam parë me shumë keqardhje se si një këngëtar si Ylli Limani, një këngëtar i dashur për një masë njerëzish, – nuk është këngëtari im i preferuar, unë i përkas një brezi tjetër dhe jetoj me të tjera dëshira që lidhen me muzikën, por është një këngëtar shumë i respektuar, shumë i preferuar, që ka bërë një koncert të jashtëzakonshëm në Tiranë, – e kanë ‘masakruar’ me sharje, me presione, me kërcënime për të anuluar koncertin dhe për të mos i dhënë njerëzve kënaqësinë që të kenë një moment të bukur muzike, sepse njerëzit do të fokusohen tek protesta”, theksoi Rama.
Kjo, sipas tij, “po ndodh me shumë njerëz”.
“Edhe me ata që kanë një opinion tjetër thjesht dhe shkruajnë postim dhe marrin të shara dhe marrin kërcënime, të cilat flasin për atë që unë e kam thënë që është ditën e parë në këtë konglomerat, në këtë mozaik, ku ka njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, ku ka patjetër njerëz, që kanë vetëm qëllime të mira, ka dhe një komponentë fashiste, një frymë fashiste. Dhe fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: ‘Shqipëria është e shqiptarëve’, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë ‘delja e zezë’ e Europës për vite, vite të tëra pastaj. ‘Greqia është e grekëve’, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë, e të tjera, e të tjera, e të tjera”, vijoi Rama.
Sipas Ramës, fryma fashiste është kur ti thua: “Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard”, po unë nuk dua dhe nuk pranoj që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër.
“Të tjerët duhet të çohen nga kafet, të tjerët nuk duhet të shkojnë në koncert, të tjerët nuk duhet të shkojnë në plazh, të tjerët nuk duhet të punojnë, të tjerët nuk duhet të marrin të mirat materiale nga puna e tyre, sepse duhet të jenë pjesë e kësaj gjëje”. Fryma fashiste është kur nuk do të dish fare dhe, patjetër që, kjo është një komponente shumë e rrezikshme e protestës”, theksoi më tej kryeministri.
Por këto simptoma, sipas tij, “lidhen drejtpërdrejt me dy gjëra që janë të panegociueshme për një shoqëri demokratike dhe për shoqërinë shqiptare dhe vendin: nevoja për rritje ekonomike dhe nevoja për më shumë të ardhura.
“Turizmi, është një burim kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm dhe këtë vit parashikohet të jetë një sezon më i suksesshmi ndonjëherë, por, nëse kjo situatë do të vazhdojë dhe nëse anulimet do të vazhdojnë, ky nuk do të jetë një sezon i suksesshëm. Ky do jetë një sezon i sabotuar nga vetë ne, nga vetë ne, një gjë e paimagjinueshme, por që faktikisht mund të ndodhi, dhe simptomat janë”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi se është e patolerueshme imponimi nga një grup njerëzish.
“E patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: ‘O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj’. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur”, tha Rama.
Burimi ATSH


















