Hoxha: Greqia mbetet mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë ndodhen në një nga periudhat më pozitive.


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë ndodhen në një nga periudhat më pozitive, ndërsa theksoi se Athina mbetet një mbështetëse e rëndësishme e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një takim me gazetarë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Hoxha u pyet nëse ekziston ndonjë fushë apo aspekt që mund të shndërrohet në problem në raport me Greqinë gjatë procesit të integrimit evropian.

Ministri vlerësoi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënvizuar gatishmërinë e përbashkët për të adresuar çështjet e mbetura pezull.

“Marrëdhëniet tona me Greqinë, jam shumë i lumtur t’ju them, po jetojnë në një periudhë ku marrëdhëniet tona kurrë nuk kanë qenë më pozitive dhe ku kemi një frymë kaq të bashkëndarë në përpjekje për të bërë gjithçka për të trajtuar, në mos për t’i zgjidhur, ato çështje që kanë qenë pjesë e marrëdhënieve dypalëshe”, tha Hoxha.

Ai theksoi se mes dy vendeve ekziston një vullnet i përbashkët për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e hapura, përfshirë edhe atë të delimitimit të hapësirave detare.

“Ka një dëshirë të përbashkët për të ecur përpara, për të vendosur gjithçka në perspektivë dhe për të trajtuar disa çështje shumë të vjetra të mbetura pezull, përfshirë edhe një çështje themelore që duhet të zgjidhim, që është shelfi kontinental dhe zonat detare”, u shpreh ministri.

Sipas Hoxhës, pas përpjekjeve të mëparshme për të arritur një marrëveshje përmes negociatave, të dy vendet kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“U përpoqëm, nuk mundëm ta bënim. U përpoqëm dy herë të arrinim një marrëveshje përmes negociatave, nuk dolëm në përfundime, kështu që vendosëm të shkojmë në gjykatë. Si Shqipëria ashtu edhe Greqia do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do të paraqesin dosjet përkatëse në mënyrë që gjyqtarët të marrin vendimin”, deklaroi ai.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Hoxha vlerësoi mbështetjen e Athinës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“E shikojmë Greqinë si një mbështetëse të madhe të zgjerimit dhe të anëtarësimit në BE. E shohim si një aleate dhe mbështetëse shumë të madhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha ministri.

Ai shtoi se Shqipëria po vijon punën me vendet partnere gjatë presidencave të ardhshme të Këshillit të BE-së, duke përfshirë Irlandën, Lituaninë dhe Greqinë, në frymën e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Burimi ATSH

Hoxha: Zgjerimi do të jetë prioritet kyç i presidencës irlandeze të BE-së në vitin 2026

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë një…

Global 360

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite në…

Diplovista

Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin, ka shumë ‘gjysmë të vërteta’ që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Vizita që ndryshoi të ardhmen strategjike të Shqipërisë

Kujtime nga vizita historike e Presidentit George W. Bush në Tiranë

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha: Zgjerimi do të jetë prioritet kyç i presidencës irlandeze të BE-së në vitin 2026

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë një…