
Rama me gazetarët e BE-së: S’ka projekt dhe as leje ndërtimi për Zvërnecin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ekziston një leje ndërtimi për projektin e përfolur të Zvërnecit dhe se aktualisht bëhet fjalë për një proces të nisur nga një kompani private, e cila ka shprehur interes dhe është në komunikim me autoritetet përkatëse.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ekziston një leje ndërtimi për projektin e përfolur të Zvërnecit dhe se aktualisht bëhet fjalë për një proces të nisur nga një kompani private, e cila ka shprehur interes dhe është në komunikim me autoritetet përkatëse.
Gjatë një konference për shtyp me gazetarë nga vende të Bashkimit Europian, Rama tha se, nëse dikush pretendon se ekziston një leje ndërtimi, atëherë duhet ta paraqesë atë.
“Nëse dikush thotë që ka një leje ndërtimi, duhet ta tregojë këtë leje ndërtimi. Nëse më pyesni dhe jeni të interesuar për fakte, mund t’ju them se ka një proces. Po, ka një kompani. Çfarë do të thotë kjo? Nëse ka një kompani nuk do të thotë se ka një projekt. Ka një shprehje interesi, ka një proces që ka nisur me autoritetet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se bëhet fjalë për një pronë private dhe e cilësoi shqetësuese mënyrën se si, sipas tij, janë përhapur informacione të pasakta për çështjen.
“Po të mos isha në këtë pozicion dhe të mos i njihja plotësisht faktet, do të më neveriste të shikoja që qeveria ime apo kryeministri im po shisnin ishujt pa më treguar se çfarë po ndodh. Sigurisht do të ndihesha i neveritur. Por, a është vërtet kështu?”, u shpreh ai.
Rama sqaroi se Zvërneci dhe ishulli i Sazanit janë dy projekte të ndryshme dhe nuk bëhet fjalë për të njëjtin projekt.
“Gjithë kjo histori me ishullin, protestuesit dhe gardhin përdoret për të krijuar diçka që është tërësisht e neveritshme. Po ta shohësh nga këndvështrimi i dikujt që është jo vetëm në bulevard por në Austri, Amerikë dhe të projektosh një imazh të Shqipërisë si një republikë bananesh ku ishujt shiten dhe ku kryeministri u shërben oligarkëve, nëse është e vërtetë është e neveritshme, por a është e vërtetë?”, tha ai.
Sipas Ramës, krijimi i kompanisë, shprehja e interesit dhe marrëveshjet private janë pjesë e mënyrës se si funksionon një vend demokratik.
“Nuk njoh ndonjë vend në sferën demokratike që mund të ndalojë privatët të bëjnë marrëveshje mes tyre. Nëse njihni ndonjë, më thoni. Nuk njoh ndonjë vend ku qeveria apo institucionet janë proaktive dhe u thonë privatëve ‘mos guxoni të lidhni marrëveshje’. E dija, e njihja një vend ku privatët nuk lejoheshin të ishin privatë dhe të huajt konsideroheshin të gjithë armiq e me ndikim i keq. E luftova kundër dhe, falë Zotit, fituam”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se çdo privat në Shqipëri ka të drejtë të vendosë gardh rrethues në pronën e tij.
“Është gardhi. E dashur, çdo privat në këtë vend ka të drejtën të kërkojë leje të vendosë një gardh rrethues në pronën e tij. Të luftosh kundër gardheve të pronave private? Çfarë do të thotë kjo?!”, tha Rama.
Ai nënvizoi se gjatë proceseve të tilla ekzistojnë protokolle dhe procedura që dëshmojnë funksionimin e institucioneve sipas standardeve europiane.
“Kur ka një proces të tillë, kur ka një marrje e dhënie me autoritetet për një projekt, kemi protokolle që vërtetojnë të kundërtën, kemi portokolle se ky vend funksionon si një vend europian. Kemi protokolle që provojnë me shkrim se investuesve u janë thënë shumë gjëra për cënueshmërinë e zonës, distancat që duhet të ketë zhvillimi nga laguna, parametrat e dendësisë dhe të tjera”, u shpreh ai.
Rama tha se ishte i gatshëm të jepte çdo sqarim lidhur me çështjen dhe të paraqesë dokumentacionin përkatës.
“Ju thashë që prej ditës së parë kam thënë se kush është i interesuar për të folur, unë jam këtu. Jam këtu për të folur për atë që duam të bëjmë dhe çfarë kemi bërë deri tani, për të treguar faktet, letrat, rrugët që kemi ndjekur, çdo gjë lidhur me ligjin, me mjedisin dhe gjithçka lidhur me këtë informacion krejt të pavërtetë që ne ndryshuam ligjin që kjo të ndodhte. Kjo është gënjeshtër dhe unë jam gati t’jua provoj këtë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, përgjigjja që ka marrë nga kundërshtarët ka qenë: ne nuk flasim, ne nuk dëgjojmë, ti duhet të japësh dorëheqjen.
/Marrë nga ATSH


















