Rama i përgjigjet senatorit Bernie Sanders: Shqipëria nuk është sfond për betejat politike të huaja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës të senatorit të SHBA-së, Bernie Sanders, i cili është shprehur se “mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë kanë protestuar kundër” projektit për investim turistik në Zvërnec.


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës të senatorit të SHBA-së, Bernie Sanders, i cili është shprehur se “mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë kanë protestuar kundër” projektit për investim turistik në Zvërnec.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama thekson se “ende nuk ka asnjë projekt të miratuar, asnjë leje ndërtimi dhe asnjë projekt përfundimtar”.

Sipas tij, “të shpallësh diçka si katastrofë mjedisore përpara se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër”.

“Ajo që do të ngrihet në bregdetin e Shqipërisë do të përcaktohet nga vizioni ynë, ligjet tona, institucionet tona dhe do të debatohet nga vetë qytetarët tanë”, deklaron Rama.

Reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Me gjithë respektin, Senator, Shqipëria është një shtet, jo një rresht në një debat politik amerikan.

E vlerësoj sinqerisht interesimin tuaj, por faktet në terren janë disi ndryshe nga titujt e lajmeve. Dhe kur titujt bëhen burimi kryesor i të kuptuarit, gjysmë të vërtetat kanë prirjen të shndërrohen dita-ditës në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha, të amplifikuara pikërisht nga platformat, për fuqinë deformuese të të cilave ju vetë keni kaluar kaq shumë kohë duke ngritur ndërgjegjësimin publik.

(Fakti që më pak se 10 mijë protestues në postimin tuaj u bënë disi 100 mijë është ndoshta amplifikimi më pak i dëmshëm i indinjatës, ndër shumë të tjera.)

Ende nuk ka asnjë projekt të miratuar, asnjë leje ndërtimi dhe asnjë projekt përfundimtar. Ajo që ekziston sot është një proces planifikimi ku janë përfshirë disa nga arkitektët, projektuesit e peizazhit, ekspertët mjedisorë dhe konsulentët e ndikimit social më të njohur në botë, të cilët po punojnë mbi një vizion për turizëm elitar të qëndrueshëm, me përfitime të matshme mjedisore, më shumë hapësira të gjelbra, më shumë pemë dhe rezultate më të forta për biodiversitetin.

Mospajtimi është legjitim.

Vëzhgimi dhe shqyrtimi mjedisor janë të mirëpritura.

Kështu duhet të funksionojnë demokracitë.

Por të shpallësh diçka si katastrofë mjedisore përpara se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër.

Ajo që do të ngrihet në bregdetin e Shqipërisë do të përcaktohet nga vizioni ynë, ligjet tona, institucionet tona dhe do të debatohet nga vetë qytetarët tanë. Por ajo nuk do të bëhet kurrë peng i frikës për të ëndërruar më shumë, për të menduar më shumë dhe për të investuar më shumë.

Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, por të provojmë se natyra mund të rigjenerohet dhe zhvillimi mund të rishpikët duke ndërtuar me natyrën dhe jo kundër saj, në dobi si të njerëzve, ashtu edhe të mjedisit.

Ne mirëpresim investitorë seriozë që vijnë për të ndërtuar, për të krijuar vende pune, për të rritur standardin e jetesës dhe për të respektuar rregullat tona. Ajo për të cilën nuk kemi nevojë është indinjata e importuar, reflekset ideologjike apo shndërrimi i Shqipërisë në një instrument politik të dikujt tjetër.

Faktet të parat. Gjithmonë.

Sepse Shqipëria nuk është një sfond për betejat politike të huaja.

Është një vend i vogël, por krenar dhe i lirë, që po bën zgjedhjet e veta dhe po përcakton vetë të ardhmen e tij.

Dhe me gjithë sa u tha më sipër, shpresoj që ta kujtoni Shqipërinë edhe pasi titujt e lajmeve të kenë kaluar. Madje, shpresoj të vini vetë e ta shihni vendin tonë të bukur, i cili po përballet me sfidën historike për t’u bërë së shpejti një anëtar krenar i Bashkimit Europian, ku asnjë projekt që prek natyrën nuk mund të ecë përpara pa përmbushur disa nga standardet, vlerësimet dhe kërkesat ligjore mjedisore më të rrepta në botën demokratike.

Pikërisht për këtë arsye duhet t’u besojmë më shumë fakteve, institucioneve dhe procesit të rregullt ligjor sesa titujve, supozimeve dhe indinjatës virale.

Dhe ndoshta, duke qenë se ju keni kaluar kaq shumë vite duke paralajmëruar për rreziqet e dezinformimit, mund ta vlerësoni faktin që realiteti meriton të paktën të njëjtën mundësi për t’u dëgjuar si historitë që tregohen për të.

Më lejoni të them se e gjithë kjo është një arsye e mirë për t’ju ftuar të jeni mysafiri ynë në Shqipëri, ku, ashtu siç është gdhendur në Kodin e lashtë shqiptar të Nderit, shtëpitë tona i përkasin Zotit dhe Mikut.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Nimsa e Qytetërimit Global synon bashkëjetesë, por jo uniformitet

Dr. Marsela Musabelliu, Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit(AIGS) ndan mendimet e saj mbi këtë iniciativë të…

Global 360

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite në…

Diplovista

Rama për “Al Jazeera”: Qeveria nuk po shet tokë publike, investimi në Zvërnec bekim për vendin

Kryeministri Edi Rama deklaroi se investimi në Zvërnec është një bekim për vendin pasi sjell një investim prej 4 miliardë…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Teologu në shoqërinë shqiptare: ndërmjet formimit fetar dhe angazhimit publik

Debati mbi rolin e teologëve në shoqërinë shqiptare është bërë më i pranishëm vitet e fundit, sidomos në kushtet e…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Nimsa e Qytetërimit Global synon bashkëjetesë, por jo uniformitet

Dr. Marsela Musabelliu, Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit(AIGS) ndan mendimet e saj mbi këtë iniciativë të…