
Rama: Shqipëria në krye të Forest Europe, dëshmi e transformimit në mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zgjedhja e Shqipërisë në krye të Forest Europe për mandatin 2026-2030 dhe përfshirja e Liqenit të Shkodrës në Biosferën e UNESCO-s janë dy zhvillime që dëshmojnë transformimin e vendit në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zgjedhja e Shqipërisë në krye të Forest Europe për mandatin 2026-2030 dhe përfshirja e Liqenit të Shkodrës në Biosferën e UNESCO-s janë dy zhvillime që dëshmojnë transformimin e vendit në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Gjatë fjalës së tij në sezonin e gjashtë të podkastit “Flasim”, Rama tha se Shqipëria u zgjodh këtë javë me votë unanime në krye të Forest Europe, duke marrë stafetën nga Suedia.
“Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve për mandatin 2026-2030 duke marrë stafetën nga Suedia. Bëhet fjalë për platformën më të rëndësishme paneuropiane ku janë bashkë Bashkimi Europian dhe 45 vende europiane që adreson pikërisht fushën e pyjeve dhe të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore duke iu referuar pikërisht pyjeve”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ky vendim ka një domethënie të veçantë kur krahasohet me situatën e Shqipërisë një dekadë më parë.
“Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia ma ha mendja është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes, a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të një organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamengot jo vetëm që vriteshin, por dhe haheshin. 10 vjet më parë kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh vinin vargan vargan lart e poshtë nga veriu në jug. 10 vjet më parë kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë”, tha ai.
Kryeministri solli në vëmendje edhe vendimet e ndërmarra ndër vite për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.
“Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini-superfuqi energjetike e rajonit? Çfarë do kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet ne mos ta kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% thuajse të gjithë territorit të Shqipërisë?”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se zgjedhja e Shqipërisë në krye të Forest Europe me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht të Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar duhet të shërbejë si një tregues për ndryshimet e arritura në vend.
“Pra fakti që nuk e imagjinojmë dot që Shqipëria do të ishte zgjedhur në krye të këtij forumi dhe merrte stafetën nga Suedia, dhe mbi të gjitha që Shqipërinë do e mbështesnin fuqishëm dy vende të cilat kanë një reputacion absolut për sa i përket mënyrës se si mbrojnë dhe administrojnë pyjet, Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar. Pra fakti që besoj nuk e imagjinojmë dot të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në të gjitha aspektet e tjera, nuk imagjinojmë dot se Shqipëria do të merrte kryesimin e Forest Europe 10 vjet më parë, por e merr sot, duke marrë stafetën nga Suedia me bekimin e të gjitha vendeve, me një mbështetje shumë të zëshme në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar. Duhet të na thotë diçka edhe për të sotmen, duhet të na thotë diçka edhe për si në të sotmen qeverisin dhe udhëheqin ata të cilët e kanë bërë këtë transformim”, u shpreh Rama.
Kryeministri ndau gjithashtu lajmin për përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në Biosferën e UNESCO-s, duke e cilësuar atë si një tjetër vlerësim ndërkombëtar për Shqipërinë.
“Fakti që këtë javë Shqipëria ka marrë dhe një tjetër lajm të mirë, përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në Biosferën e UNESCO-s. Një tjetër shembull domethënës që në Shqipëri nuk qeveris një forcë që shkatërron, qeveris një forcë që ndërton. Nuk qeveris një forcë që abuzon me mjedisin dhe me trashëgiminë natyrore apo kulturore, por qeveris një forcë që, përkundrazi, kërkon që të harmonizojë të dyja bashkë”, tha ai.
Rama nënvizoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit duhet të ecin paralelisht dhe jo të shihen si alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.
“Të mendosh që zgjidhja është ose të konservosh ose të ndërtosh do të thotë të mos kesh kuptuar asgjë nga të gjitha zhvillimet e dekadave të fundit dhe mbi të gjitha të mos kesh kuptuar asgjë nga domosdoshmëria që njerëzit të rrisin mirëqenien e tyre duke vënë në funksion të rritjes së mirëqenies edhe burimet natyrore. Por nga ana tjetër, që burimet natyrore të mund të jenë aty për njerëzit, duhet të jenë nën kujdesin, nën përkujdesjen, nën sytë e njerëzve për t’i ruajtur, për t’i mirëmbajtur, për t’i ushqyer dhe për t’i bërë ende më të vlefshme, qoftë në atë çka ato paraqesin, qoftë në atë për çka ato shërbejnë”, u shpreh kryeministri Rama.
Marrë nga ATSH


















