
Rama: Domosdoshmëri të ecim me ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve të negociatave të integrimit
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm për përmbushjen e detyrave me qëllim mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm për përmbushjen e detyrave me qëllim mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama vlerësoi rolin e tij si mbështetës i palodhur i Ballkanit Perëndimor.
“Presidenti Costa vjen për herë të pestë në Tiranë, një mik gjithmonë e më i vendosur dhe i çmuar i Shqipërisë por edhe i Ballkanit Perëndimor. Mbështetës i palodhur, qysh në krye të herës si kryeministër i Portugalisë, i procesit të zgjerimit të BE-së dhe i bashkimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, tha Rama.
Rama i konsideroi takimet e Presidentin Costa si momente mësimi nga një eksperiencë e madhe dhe një njohje e thellë e çështjeve të Europës, të botës, i çështjeve të ekonomisë e çështjeve sociale e kështu me radhë.
Rama shprehu mirënjohjen për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për mbështetjen e palodhur gjatë procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
“Kjo mbështetje ka ardhur edhe përpara se sa ne të realizonim praktikisht mbylljen e fazës së parë, atë të çeljes së kapitujve me Konferencën Ndërqeveritare të pak ditëve më parë dhe hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve, në një kohë kur të gjithë së bashku u përballëm me shumë sfida, që nuk janë sfidat tona individuale, pot janë sfidat tona të përbashkëta”, tha Rama.
Në këtë fazë të negociatave me BE-në, Rama shprehu bindjen se pjesën kryesore të punës e ka Shqipëria, e cila ka detyra për të përmbushur jo për hir të Brukselit apo Berlinit e Parisit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit, të institucioneve dhe të pushteteve të pavarura në Shqipëri.
“Në këtë fazë theksi kryesor është zbatimi i atyre reformave që janë kryer me sukses apo i gjithë këtyre ligjeve që do të vazhdojnë të hyjnë në trupin e organizmit ligjor të Shqipërisë nga trupi ligjor i BE-së”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ky është një proces me shumë sfida.
“Me të drejtë Presidenti Costa na ka sugjeruar që të rrisim përpjekjet për të njohur publikun e gjerë me të gjitha këto sfida që shoqërojnë çdo hap që ne hedhim përpara. Kemi folur për eksperiencën e Portugalisë në momentin e parë dhe për eksperiencën e fermerëve dhe të prodhuesve të verës, sfidave që ata patën për t’u adoptuar, sfida të shoqëruara me dhimbje por pastaj të pasuara nga sukses dhe rezultate shumë më të mira për fermat dhe prodhimet e tyre”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se kemi dakordësi 100% me të gjitha çështjet, për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë.
“Po ashtu kemi dakordësi 100% për sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve. Kemi dakordësi 100% që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues”, shtoi Rama.
Rama theksoi se kemi dakordësi 100% që të gjitha këto janë më të lehta për faktin se në këtë rrugë ne nuk jemi vetëm pot kemi një partner të jashtëzakonshëm si BE dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijesh siç është procesi i negociatave dhe ndërveprimit me KE.
Kryeministri Rama mikpriti më herët në takim Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, i cili vizitoi Tiranën, në kuadër të vizitave diplomatike, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Samiti mbahet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit të Europës dhe do të mikpritet nga Presidenti i Malit të Zi.
Burimi ATSH



















