
Shqiptare Rama – shqiptarëve: Nuk ju kam tradhtuar dhe nuk ju tradhtoj kurrë
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh Kryeministër, Edi Rama deklaroi sot se kjo forcë politike ka përjetuar, sipas tij, sulme dhe akuza të vazhdueshme gjatë ushtrimit të pushtetit.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh Kryeministër, Edi Rama deklaroi sot se kjo forcë politike ka përjetuar, sipas tij, sulme dhe akuza të vazhdueshme gjatë ushtrimit të pushtetit.
Në fjalën e tij në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, të zhvilluar në qytetin e Beratit, Rama u ndal tek ajo që e cilësoi si “balta politike”, duke theksuar se, sipas tij, asnjë forcë politike në Europën e pas rënies së komunizmit nuk ka përjetuar të njëjtin nivel akuzash dhe sulmesh personale.
“Asnjë forcë politike në gjithë Europën e pas rënies së komunizmit nuk ka përjetuar tek personat, tek lëkura e personave që e kanë përfaqësuar në nivelin vendor apo qendror më shumë shijen e baltës sesa kjo forca jonë politike, sesa njerëzit përfaqësues të kësaj force politike dhe sa më i lartë niveli i përfaqësimit, aq më e hidhur shija e baltës, e baltës së akuzave, e baltës së shpifjeve me libër shtëpie”, tha Rama.
Ai shtoi se, sipas tij, sulmet nuk kanë kursyer as përfaqësuesit dhe familjarët e tyre.
“Nuk kanë baltosur vetëm ne, kanë baltosur njerëzit tanë, familjet tona dhe patjetër që kjo nuk është fare ankesë, sepse sa më lart të jesh në këtë piramidë, aq më shumë baltë do marrësh, por unë e kam duruar baltën, jam mësuar me shijen e saj mbi veten time, s’më bën përshtypje”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, ndonëse është mësuar me kritikat ndaj tij personalisht, situata është më e vështirë kur ato prekin familjen.
“Nuk jam mësuar me shijen e saj kur balta bie mbi familjen time, mbi gruan, mbi fëmijët, kur balta bie mbi kockat e prindërve të mi, por ama gjithmonë e konsideroj si pjesë të pandashme, të pandryshueshme, sepse s’kemi gjë në dorë ne. Balta vjen nga ata që deri dje i kishim përballë, sot s’i kemi as përballë, i kemi shumë prapa, pjesë e pandashme për hir të privilegjit të madh dhe të nderit të madh që më keni bërë dhe më bëni ju, duke më mbështetur dhe duke më mbajtur në krye”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se nuk i ka tradhtuar kurrë shqiptarët.
“Në këto 2-3 ditë kam kuptuar që baltën dhe akuzat dhe shpifjet e atyre që më kanë votuar, është shumë e vështirë që t’i përballoj, është shumë e vështirë që t’i pranoj sepse përtej të gjitha fjalëve dhe përtej të gjitha pretendimeve, akuzave, hamendësimeve, përrallave, tregimeve, rrëfimeve lidhur me mua, unë një gjë jam i sigurtë, jam i sigurtë si Mangalemi që është prapa meje, që qysh në ditën që ju më keni çuar në atë zyrë, nuk e kam bërë kurrë. Unë nuk ju kam tradhtuar dhe nuk ju tradhtoj kurrë. Dhe unë nuk jam më këtu si në fillimet e kësaj rruge që patjetër si çdo njeri, kisha edhe unë atë ndjesinë e të qenit në një zyrë që është më e larta e vendit dhe në një pozicion që është më i larti i vendit; kisha dhe unë atë pjesën time të flirtit me pushtetin për çfarë pushteti të jep, në kuptimin e gjërave që sheh, e njerëzve që takon, e duartrokitjeve që merr, i kisha këto. Nuk i kam më!”, u shpreh Kryeministri.
“Jam këtu në këtë detyrë vetëm për një bindje shumë të madhe, që është momenti historik që e ka sjellë Zoti, e kanë sjellë yjet bashkë, e kanë sjellë fati, quajeni si të doni, e ka sjellë dhe puna jonë se dhe Zoti thotë “më ndihmo, të të ndihmoj” dhe që ne kemi mundësinë të bëjmë histori duke e bërë Shqipërinë ta kapërcejë atë pragun e paarritshëm për kaq shumë kohë, të Europës së të barabartëve, por natyrisht që unë jam këtu për vizionin dhe për bindjet e mia, për se si duhet të jetë kjo Shqipëri”, tha Rama.
“Nuk jam këtu për të vazhduar të rri në karrige e për të dalë në fotografi dhe të bëj kryeministrin. Fare. E keni parë besoj, që dal më rrallë, por vetëm për të bërë gjërat ashtu siç duhet dhe për ta ngjitur Shqipërinë aty ku duhet dhe, o duhet të bëjmë këtë, ose s’ka për mua punë. Kaq e thjeshtë është kjo”, përfundoi Kryeministri.
Marrë nga ATSH


















