Rama i përgjigjet Tsipras: I habitur që partia jote e re e shndërroi një incident në çështje politike

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot ish-kryeministrit grek, Alexis Tsipras lidhur me incidentin në Zvërnec duke e konsideruar të padrejtë dhe të papërgjegjshme shndërrimin e një incidenti të izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës.


Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot ish-kryeministrit grek, Alexis Tsipras lidhur me incidentin në Zvërnec duke e konsideruar të padrejtë dhe të papërgjegjshme shndërrimin e një incidenti të izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës.

Në reagimin e tij në rrjetin social “X”, Rama thekson se faktet duhet të prevalojnë mbi spekulimet politike.

Duke iu drejtuar Tsipras, i cili ka krijuar formacionin e tij të ri politik me emrin “ELAS”, Kryeministri Rama shprehet i habitur që partia e tij e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike.

“Ajo gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke”, siguroi Rama.

Në përfundim, Rama uroi që partia e re e Tsipras të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të vjetra të debatit publik, përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetje përmes retorikës patriotike dhe përfundimeve të nxituara mbi fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane”.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama ndaj Tsipras:

I dashur @atsipras,

Uroj të jesh mirë!

Ndjesë për shqetësimin, por doja të ndaja habinë time për mënyrën se si, kaq shpejt, edhe partia jote e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e konfirmuara dhe duke vënë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste!

Incidenti fatkeq, në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga dezinformim i gjerë, i shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, që operojnë në tokë private, të cilën e kanë blerë nga pronarë të ligjshëm me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar.

Çdo dëmtim ndaj çdo individi, shqiptar, grek apo cilido qoftë, është për të ardhur keq. Rrethanat u sqaruan me shpejtësi, duke çuar në arrestimin e punonjësve të sigurisë private përgjegjës, heqjen e licencës së kompanisë së tyre dhe shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.

Çfarë më tepër prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si Kryeministër në këto rrethana? Për aq sa më kujtohet nëse pozicionet do të ishin të kundërta, reagimi yt me shumë gjasë do të kishte qenë shumë më pak vendimtar. Por ky nuk është thelbi.

Thelbi është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme të shndërrohet një incident i izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës. Përkundrazi, një gjë e tillë është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat europiane që të dy pretendojmë se ndajmë. Asnjë fushatë zgjedhore nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, sidomos nga një parti e re që aspiron të përfaqësojë të majtën europiane të shekullit XXI.

Angazhimi i Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare nuk është çështje leverdie politike. Ai është detyrim kushtetues, angazhim europian dhe një realitet i pasqyruar në legjislacionin dhe institucionet tona.

Siç e kam theksuar edhe më parë, përfshirë kur u jam përgjigjur shqetësimeve të tua lidhur me rrugën europiane të Shqipërisë në çështje që kanë përfshirë grekët etnikë, jam plotësisht dakord se respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor. Pikërisht për këtë arsye, faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklarata politike të lëshuara nga një vend tjetër dhe të ndikuara nga konsiderata të politikës së brendshme.

Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri është një pasuri që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ajo gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke.

Prandaj besoj se do të biesh dakord që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë u shërbehen më së miri fakteve dhe jo hamendësimeve, respektit për shtetin e së drejtës dhe institucionet e vendeve fqinje dhe jo spekulimeve politike.

Duke të uruar sukses në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj sinqerisht që partia jote e re të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të vjetra të debatit publik, përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetje përmes retorikës patriotike dhe përfundimeve të nxituara mbi fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane.

Në fund të fundit, Europa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjithë të mirat, miku im i vjetër!”

Lexo më shumë nga

Gogu: 553 persona u liruan nga Amnistia Penale, 863 të tjerë përfituan ulje dënimi

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se amnistia penale e miratuar nga Kuvendi është zbatuar plotësisht, në bashkëpunim me…

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gogu: 553 persona u liruan nga Amnistia Penale, 863 të tjerë përfituan ulje dënimi

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se amnistia penale e miratuar nga Kuvendi është zbatuar plotësisht, në bashkëpunim me…