Paralajmërimi i Rusisë për sulme, Hoxha: Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha e konsideroi sot krejtësisht të papranueshëm njoftimin e Rusisë që i bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha u shpreh se kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci, është intimidim. “Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, u shpreh Hoxha.
Hoxha siguroi se Shqipëria nuk do të tërhiqet.
“Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi”, u shpreh ai.
Përgjigjja për këtë luftë, sipas ministrit Hoxha, “nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile”.
Për ministrin Hoxha e vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.
“Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë”, theksoi ai.
Burimi ATSH