
Rama pas Konferencës Ndërqeveritare me BE: Ky është fillimi i fundit, më shumë përgjegjësi
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, se vendi ndodhet në një fazë të avancuar të procesit të integrimit europian dhe ka shënuar, sipas tij, rezultate të rëndësishme në negociata.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, se vendi ndodhet në një fazë të avancuar të procesit të integrimit europian dhe ka shënuar, sipas tij, rezultate të rëndësishme në negociata.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendësministren për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, Rama vlerësoi ecurinë e procesit dhe ritmin e përshpejtuar të hapjes së kapitujve negociues.
“Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE-në, dashuri e pashtershme, pa kushte. Dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi dhe sigurisht jemi të lumtur, jemi shumë të lumtur, sepse kemi arritur një tjetër gur të jashtëzakonshëm kilometrik. Kemi thyer një tjetër rekord”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se, sipas vlerësimeve të bëra edhe nga Komisionerja Kos, Shqipëria ka arritur të çelë të gjithë kapitujt negociues brenda një periudhe 11-mujore, duke e konsideruar këtë një ritëm të lartë të procesit të integrimit.
“Ne i kemi çelur të gjithë kapitujt brenda 11 muajve dhe ishte shumë shpejt, ndoshta sepse ishte shumë vonë dhe kaluam nga kjo fazë e nisjes së mbylljes së kapitujve me këtë konferencë të sotme, edhe një herë brenda një afati shumë të shkurtër”, u shpreh Kryeministri.
Rama shtoi se vendi ndodhet në një fazë ku përgjegjësia rritet, duke theksuar se procesi nuk përfaqëson fundin e negociatave, por fillimin e fundit.
“Kështu që ndihemi të energjizuar, të inkurajuar, por gjithashtu edhe me më shumë përgjegjësi, sepse e dimë që nuk është fundi, është vetëm fillimi i fundit”, tha ai.
Kryeministri nënvizoi se anëtarësimi në BE është bërë një temë me interes të lartë publik në Shqipëri.
“Dhe ndoshta është momenti për t’u thënë të gjithë shqiptarëve në atdhe, të cilët e kanë ndjekur këtë proces me kaq pasion, se fjala IBAR u bë edhe më ‘trendy’ se fjala Kupë Bote. Ja kështu jetojmë ne me anëtarësimin në BE”, deklaroi Rama.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, ai theksoi se Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të treguesve ekonomikë në vitet e fundit.
“Sot kemi një vend i cili ka një PBB prej mbi 27 miliardë euro dhe e nisëm me 10 miliardë euro. Kemi një vend i cili ka një pagë mesatare në sektorin privat 912 euro dhe në sektorin publik rreth 1100 euro, ndërsa e kemi nisur me një pagë mesatare prej 325 eurosh. Po rriten investimet, po rritet ekonomia”, u shpreh ai.
Rama theksoi gjithashtu se reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit kanë sjellë forcim të institucioneve dhe të sistemit të drejtësisë në vend.
“Është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se e gjithë kjo lidhet me punën që ne po bëjmë së bashku, piketat e ndërmjetme, që tingëllojnë abstrakte, por janë mjaft reale dhe kanë të bëjnë me faktin se sot morëm konfirmimin e institucioneve shumë më të forta sesa një vit më parë. Një sistem drejtësie i fuqizuar dhe i pavarur si kurrë më parë në historinë e vendit tonë”, deklaroi Kryeministri.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një perceptim i mëparshëm për pandëshkueshmëri, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve funksionale.
“E nisëm me stigmën e një vendi ku kishte kulturë pandëshkueshmërie dhe sot duket sikur ka qenë diçka e së shkuarës shumë të largët, ndonëse ishte vetëm pak vite më parë”, theksoi Rama.
Marrë nga ATSH


















