
Rama nga Brukseli: Nuk ka shtim kushtesh nga BE, jemi brenda kalendarit të dakordësuar me KE
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku po merr pjesë në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e Shqipërisë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku po merr pjesë në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e Shqipërisë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Nga Brukseli, kryeministri Rama e cilësoi nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian si një moment kthese historike për Shqipërinë dhe procesin e integrimit.
Kreu i qeverisë tha se vendi ka hyrë tashmë në etapën e piketave përmbyllëse, pas hapjes së të gjithë kapitujve dhe analizës së detajuar të reformave në çdo fushë.
Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ka qenë kurrë më afër, ndërsa theksoi se vendi vijon të jetë brenda kalendarit të dakordësuar me Komisionin Europian.
“Është një stacion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është momenti i kthesës së fortë të procesit, kur pasi janë hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe është bërë një analizë shumë e imët e të gjitha fushave ku përfshihen negociatat, vendet anëtare kanë dhënë dritën jeshile për të vazhduar me piketa mbyllëse. Pra, ishin piketat hapëse, u hapën gjithë kapitujt, tani kemi filluar me piketat mbyllëse, që përkthehet me mbylljen e kapitujve. Ka pasur shumë spekulime, gojëdhëna e thashetheme për këtë proces, të motivuara politikisht. Ka qenë një proces ecejakesh mes komisionit dhe vendeve anëtare. Tashmë kemi dritën jeshile për të vijuar me mbylljen e kapitujve.
“Anëtarësimi nuk ka qenë kurrë më afër dhe më e rëndësishme është se deri më tani që flasim jemi brenda kalendarit të dakordësuar me KE dhe ky është një konfirmim absolutisht inkurajues. Është pa diskutim lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse sa më afër ne shkojmë drejt majës, ku kemi amanetin të mbërrijmë, por edhe misionin, aq më pranë shqiptarët gjenden në momentin kur do të pajisen me pasaportën europiane dhe do të jenë pjesëtarë të familjes së madhe europiane, çka ka një vlerë të gjithanshme për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, brenda apo jashtë saj”, tha Rama për Top Channel.
I pyetur për afatin e vitit 2030 si objektiv për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, kryeministri tha se procesi mbetet i lidhur me dinamikat politike të unionit, por nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me ritëm reformat dhe përmbushjen e detyrimeve.
Sa i takon raportit të IBAR dhe kërkesave për forcimin e luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta, Rama u shpreh se nuk bëhet fjalë për kushte të reja ndaj Shqipërisë, por për standarde që çdo vend kandidat duhet të përmbushë.
“Gjithçka dhe gjithmonë varët nga dinamikat politike të Unionit dhe për sa kohë këto janë në favorin tonë, ne duhet të vrapojmë siç po e bëjmë, të kryejmë detyrat siç po i kryejmë, të jemi të suksesshëm siç po jemi dhe nga ana tjetër ta kthejmë gjithë këtë proces, jo vetëm garanci për shqiptarët dhe Shqipërinë vendin, por edhe për përfitim sot. Mbi të gjitha, me një fjali të vetme, ky moment është vendosja e një vule kuptimplotë për atë që është Shqipëria sot; një histori suksesi në rrugën për anëtarësimin në BE.
“Ky është një proces përmbushjesh të të gjitha kushteve që duhen plotësuar për të qenë vend anëtar i BE. Këtu nuk bëhet fjalë për shtim kushtesh apo ulje të numrit të tyre. Bëhet fjalë për një kornizë tërësore kushtesh, të cilat nënkuptojnë detyra shtëpie që duhen bërë. Nuk ka shtim kushtesh, për më tepër pastaj kur vjen puna për piketat përmbyllëse vendet anëtare praktikisht dakordësojnë ose jo me Komisionin. Ndërkohë që gjuha e raportit është një gjuhë ku vendet anëtare vendosin thekset e caktuara për ta fokusuar vendin përkatës dhe njëkohësisht edhe për nënvizuar se çfarë presim prej këtij vendi. Kjo është gjëja më normale në këtë proces dhe kush i ka lexuar këto rrugëtime të atyre që e kanë ndjekur më parë këtë rrugë dhe kush i sheh sot edhe brenda BE dinamikat që lidhen me shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, antikorrupsionin, e ka shumë të qartë se kjo është një histori e të qenit pjesë e kësaj familjeje. Ne jemi shumë të motivuar sot dhe shumë të energjizuar nga ky moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse kemi kapërcyer në kohë rekord, si asnjë vend tjetër në këtë proces, një mal të tërë me detyra. Tani na pret mali tjetër, që është edhe i fundit, ai i detyrave të lidhura me mbylljen e kapitujve”, tha Rama.
I pyetur mbi faktin se opozita fillimisht pretendoi se procesi i negociatave ishte bllokuar, ndërsa më pas bashkoi votat me mazhorancën për rezolutën e integrimit, Rama tha se “sa më shumë bashkëpunon”, aq më shumë thellohet distanca me opozitën dhe Partinë Demokratike.
“Nëse do të thosha atë që më vjen të them, edhe pse prej ditës që është mbyllur fushata kam refuzuar edhe me veten time që të hyj në komente lidhur me palën tjetër dhe sidomos me shishen, etiketën dhe vetë produktin që mban shishja e palës tjetër, atëherë do të thosha se nëse ky është bashkëpunim, është një bashkëpunim absolutisht i paparë në historinë e politikës botërore nga ana ime, sepse sa më shumë unë bashkëpunoj, aq më shumë thellohet distanca mes PD dhe të ashtuquajturës opozitë, që është vërtet në një agoni të vajtueshme”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se ai nuk është një projekt personal politik, por një mision historik i shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes europiane.
“Integrimi nuk është projekti im, është misioni historik i shqiptarëve dhe gjithë atyre që e kanë dëshiruar që Shqipëria t’i përkasë botës që dielli lind andej nga perëndon, kështu që unë e konsideroj fat dhe privilegj që më ra mua dhe PS në këtë fazë të historisë së vendit, barra dhe njëkohësisht edhe mundësia për ta çuar këtë proces drejt kurorëzimit. Nuk do të lëmë gur pa luajtur që t’ia dalim, gjithmonë me besim dhe duke punuar me vetëdije se çdo hap që ne hedhim në këtë rrugë nuk është një hap për të ikur nga Shqipëria dhe për të shkuar në Bruksel, Berlin, Paris a Romë, por një hap që e hedhim për ta ndërtuar brenda 28 mijë kilometrash katrorë të Republikës sonë shtetin europian të shqiptarëve”, tha Rama.
/Marrë nga ATSH


















