
Sala: Shërbimi i analizave nuk ndërpritet në asnjë moment në spitale
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala tha sot në Kuvend se “është e rëndësishme të sqarohet për të gjithë qytetarët se shërbimi i analizave nuk ndërpritet në asnjë moment”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala tha sot në Kuvend se “është e rëndësishme të sqarohet për të gjithë qytetarët se shërbimi i analizave nuk ndërpritet në asnjë moment”.
Në interpelancën e zhvilluar sot në Kuvend, Sala tha se “kontrata parashikon një planifikim mujor të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital, bazuar në historikun dhe nevojat e parashikuara”. “Në momentin kur arrihet rreth 75% e këtij volumi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse, si një mekanizëm monitorimi dhe menaxhimi të përdorimit të shërbimit. Në këtë fazë, shërbimi vijon normalisht, por prioritet i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrjen klinike”.
Ministrja Sala u shpreh se “kjo do të thotë se në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje”.
“Shërbimi laboratorik i ofruar nëpërmjet Partneritetit Publik – Privat, ka sjellë një ndryshim të dukshëm në standardin e diagnostikës laboratorike, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe gamën e analizave të disponueshme për qytetarët. Nga një paketë relativisht e kufizuar që ofrohej më parë me rreth 100 analiza në spitalet universitare dhe, edhe më pak në ato rajonale, sot ofrohen 164 analiza në mënyrë të unifikuar në të gjitha spitalet pjesë e kontratës”, theksoi Sala.
Sipas saj, zgjerimi i gamës dhe standardizimi i shërbimit në 18 spitale publike përbën një hap të rëndësishëm drejt barazimit të aksesit dhe rritjes së cilësisë së diagnostikës në nivel kombëtar.
Sa i përket planifikimit të volumit dhe buxhetit, Sala tha se “ka qenë ndërtuar mbi bazën e të dhënave historike të përdorimit të shërbimeve dhe projeksioneve të kërkesës, siç është praktika standarde për kontrata të tilla”.
“Pikërisht për këtë arsye sfida nuk lidhet me mungesën e shërbimit apo të gamës së analizave, por me nevojën për përditësim dhe përshtatje të vazhdueshme të planifikimit financiar dhe volumetrik, në mënyrë që ai të reflektojë më mirë kërkesën reale në terren”, përfundoi Sala.
Burimi ATSH


















