
Sula merr detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, Ibrahimaj: Inspektimet me logjikë përmirësimi, jo ndëshkimi
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot Dashnor Sulën në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në krye të Inspektoratit Qendror.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot Dashnor Sulën në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në krye të Inspektoratit Qendror.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi kontributin shumëvjeçar të ish-kryeinspektorit Shkëlqim Hajdari, duke theksuar se reforma në sistemin e inspektimeve është një proces i nisur prej vitesh, i cili ka hyrë tashmë në një fazë të re zbatimi, pas miratimit të ligjit të ri “Për inspektimet”.
Sipas saj, Inspektorati i Përgjithshëm ka një rol kyç si institucion koordinues i gjithë sistemit të inspektimeve, i cili vijon të përballet me sfida dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm.
Ministrja nënvizoi se në mandatin e ri qeverisës, vizioni i qeverisë është që biznesi ta shohë shtetin dhe institucionet publike si partnerë.
“Inspektimet nuk duhet të kenë logjikën e ndëshkimit, por atë të përmirësimit, duke synuar përmbushjen sa më të mirë të legjislacionit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve të ofruara në treg”, nënvizoi Ibrahimaj.
Duke u ndalur te përmbajtja e reformës, Ibrahimaj theksoi se ligji i ri parashikon masa rekomanduese si hap të parë përpara penaliteteve, si dhe ndarjen e qartë të funksioneve për shmangien e konfliktit të interesit në vendosjen dhe shqyrtimin e gjobave.
Këto procese tashmë po menaxhohen nga Inspektorati i Përgjithshëm, duke i dhënë zbatim konkret reformës.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës, sipas ministres, është profesionalizimi i trupës së inspektorëve përmes një sistemi të qëndrueshëm rekrutimi dhe trajnimi, si dhe ndërtimi i sistemeve të bazuara në analiza risku dhe digjitalizim, me qëllim rritjen e transparencës dhe forcimin e besueshmërisë së institucioneve inspektuese.
Në këtë kontekst, ministrja Ibrahimaj shprehu besimin se përvoja e gjatë administrative dhe politike e Sulës do të kontribuojë në përmbylljen e reformës dhe në forcimin e marrëdhënies së shtetit me biznesin, në përputhje me standardet evropiane.
Nga ana e tij, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula vlerësoi besimin e dhënë dhe theksoi se përkushtimi, integriteti dhe drejtësia do të jenë parimet udhëheqëse të punës së tij. Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit të biznesit të ndershëm, forcimit të sistemeve dhe bashkëpunimit institucional për të garantuar një sistem inspektimesh të drejtë, transparent dhe efektiv.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se viti në vijim do të jetë vendimtar për përmbylljen e reformës së inspektimeve, riorganizimin e inspektorateve dhe funksionalizimin e plotë të sistemeve të reja në shërbim të bizneseve dhe qytetarëve.
Burimi ATSH



















